Prishja e raporteve në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe kryediplomtës Donika Gërvalla e ka prekur edhe Prindon Sadriun, bashkëshortin e shefes së shtetit.
Zotëriu i parë po injorohet keq nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila drejtohet nga Donika Gërvalla. Prindon Sadriu që disa muaj ka kërkuar nga MPJD-ja të kompensohet financiarisht për kohën sa ishte shefi i misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shkup. Në kërkesat që i ka siguruar gazeta Nacionale bëhet fjalë për kompensim shtesë në pagë prej qershorit të vitit 2021 deri në maj 2022. Sadriu, që tani ushtron detyrën e Drejtorit për NATO dhe Politika të Sigurisë në MPJD-së, pretendon se gjatë ushtrimit të mandatit si shef i misionit diplomatik të Kosovës në Shkup i ka takuar pagë më e madhe se që e ka marrë paraprakisht, si zëvendësshef i misionit.
Për këtë çështje, Sadriu i ka dorëzuar dy kërkesa MPJD-së, por të njëjtat i janë refuzuar nga ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla.
Nga burimet brenda MPJD-së, gazeta Nacionale ka mësuar se për këtë çështje Sadriu është ankuar në Këshillim Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në kërkesat e bashkëshortit të presidentes vërehet se ai nuk ka pas një vendim të nëshkruar nga ministrja Donika Gërvalla, me të cilën emërohet për të kryer punën e shefit të misionit diplomatik në Shkup.
“Me shpresën të jeni mirë, më lejoni të ju sjellë në vëmendjen tuaj një çështje e cila ndërlidhen me mandatin tim në Shkup. Me specifikisht ju shkruaj lidhur me mohimin e përsëritshëm të drejtës në pronë gjatë periudhës 1 qershor 2021 deri 25 maj 2022. Siç jeni në dijeni, për shkak të lirimit nga detyra të ish shefit të misionit në Shkup, sipas legjislacionit dhe praktikës në MPJD, në bazë të gradës më të lartë diplomatike jam caktuar nga MPJD të jem i Ngarkuar me Punë deri në emërimin e shefit te ri te misionit.”, thuhet në letrën që Sadriu ia ka drejtuar ish-sekretarit të MPJD-së, Behar Isma, më 15.03.2024.
Sadriu aty tregon se si e ka marrë detyrën e shefit të misionit.
“Gjatë një komunikimi me udhëheqësin e burimeve njerëzore në MPJD (shih korrespodencen e bashkangjitur), kam vërejtur mospërputhje të kompenzimit tim si shef i misionit diplomatik përgjatë asaj periudhe gati 1 vjeçare sa kam shërbyer si shef i misionit diplomatik”, ka shkruar ai në kërkesën e tij.
Më tej, Sadriu ka bërë me dije se të drejtën në kompensim e kanë përfituar gjashtë persona tjera.
Sipas tij, rastet janë të ngjashme.
“Nga përgjigja që kam pranuar nga zv. Sekretari i Përgjithshëm z. Isma në emailin e datës 6 qershor 2023, jam njoftuar se zyra e personelit në MPJD nuk ka vendim të ministres për caktimin tim si i Ngarkuar me Punë. Megjithatë, nga e njëjta korrespodencë, mes burimeve njerëzore dhe zv. Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD, vërehet së të drejtën në pronë e kanë fituar gjithë rastet e tjera të cilat në atë kohë kanë shërbyer në atë cilësi (gjithsej 6 raste të ngjashme të ushtrimit të funksionit të te Ngarkuarit me Punë të përkohshëm), përderisa dallim bën vetëm rasti im, i cili përkundër udhëzimeve të qarta ish-zv. Sekretari i Përgjithshëm i cili me obligonte që nga data 27 maj 2021 të jem përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në mision si dhe njoftimit që kemi dërguar në vendin pritës, respektivisht Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ku si obligim procedural e kemi njoftuar për përfundimin e mandatit të ish shefit të misionit dhe emërimin e të ngarkuarit me Punë, nuk ka ndodhur”, thuhet në kërkesën e Sadriut.
Ndër të tjera, në kërkesën e parë Sadriu përmend një numër dokumentesh që ia kanë njohur atij autoritetin e të Ngarkuarit me Punë.
Në fund të kërkesës, Sadriu pretendon se duke mos e kompensuar MPJD-ja është duke ia shkelur atij një të drejtë themelore.
Kërkesa e dytë
Kërkesa e parë e Sadriut është injoruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për disa muaj, MPJD-ja nuk është marrë fare me kërkesën e bashkëshortit të presidentes Osmani.
Ky i fundit, pas ndërrimit të sekretarit të përgjithshëm, përsëri i ka shkruar MPJD-së.
Në kërkesën e tij të dytë, të cilën e ka titulluar “Kërkesë për ekzekutimin e kërkesës”, ai ka shkruar shumë më shkurt.
Më dy korrik të këtij viti, ai ka kërkuar nga zëvendëssekretarit Ilir Mucaj që të merret parasysh kërkesa e tij.
“I nderuar zv. Sekretar: kërkoj me konsideratë aprovimin e kërkesës së aprovuar në heshtje nga ana juaj të datës 31.03.2024 me numër referen 41.2024, të arkivuar nga arkivi i MPJD0së me numër rendor 881-2(njësia organizative2.0) lidhur me mohimin e pjesshëm të së drejtë në pronë”, është thënë në kërkesën e siguruar nga gazeta Nacionale.
Nga burimet brenda MPJD-së, gazeta Nacionale ka mësuar se Sadriu tashmë është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Prindon Sadriu kërkon kompensime financiare nga MPJD-ja. Edhe në kohën sa ishte zëvendësshef i misionit në Shkup, Zotëriu i parë nga buxheti i shtetit kishte kërkuar rimburësim të pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19. Asokohe, MPJD-ja ia kishte paguar Sadriut 396 euro si shpenzime të tij pas infektimit me COVID-19.
Detyrën e shefit të misioni diplomatik në Shkup Prindon Sadriu e kishte marrë pas shkarkimit të ish-ambasadorit Gjergj Dedaj. Deri në atë kohë, Sadriu ishte zëvendësshef i misionit. Në dhjetor të vitit të kaluar, ai e ka përfunduar misionin në ambasadën e Kosovës në Shkup dhe është rikthyer në MPJD në pozitën e Drejtorit për NATO dhe Politika të Sigurisë.