Detaje të reja: Polici në Ferizaj dyshohet se e vrau burrin e tezes

1 minute, 26 seconds Read

Ferizaj është tronditur pasditen e sotme pasi një incident në fshatin Bibaj në një dasmë, ka përfunduar me tragjedi.

Siç u konfirmuar nga policia, një person ka mbetur i vrarë jashtë oborrit të një restoranti ku po mbahej një dasmë.

Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ky incident i rëndë, ku i dyshuari që shtiu me kallash ndaj një personit është zyrtar policor.

Personi që dyshohet se ka ekzekutuar një person me kallash, është Besim Ramadani.

Ai dyshohet se privoi nga jeta burrin e tezes së tij, për motive akoma të panjohura, teksa është dorëzuar në Polici pas krimit të rëndë.

Po ashtu, mësohet se viktima e këtij rasti tragjik është Sadri Sadriu – i cili u qëllua me armë zjarri jashtë oborri të një restoranti.

Në anën tjetër, Kushtrim Hodaj, kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), ka konfirmuar se i dyshuari për vrasjen e ndodhur në Ferizaj është një zyrtar policor nga Stacioni Policor i Ferizajt.

Hodaj ka njoftuar se ekipet e IPK-së janë mobilizuar dhe janë nisur për në vendngjarje për të hetuar rastin.

“Po mund të konfirmojmë se i dyshuari për vrasjen është zyrtar policor nga Stacioni Policor i Ferizajt. Ekipet e IPK-së janë njoftuar dhe janë nisur për vendngjarje”, ka deklaruar Hodaj.

Vrasjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Ferizajn, Qazim Reka, i cili ka thënë se ngjarja ka ndodhur jashtë një restoranti në fshatin Bibaj të Ferizajt.

“Rasti ka ndodhur jashtë restorantit në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku është vrarë një person, për informacione të tjera do të njoftoheni me kohë”, ka njoftuar Reka.

Publikime te ngjashme