Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka akuzuar Bashkimin Evropian se me qeveritë e mërparshme të vendit, e kanë shndërruar veriun në çerdhe të krimit, kjo për shkak të – siç thotë ai – politikave të stablokracisë në dëm të paqes.
Bajqinovci përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas deklaratave të zëdhënësit Peter Stano, se çështja e urës së Ibrit është problematike.
Sipas tij, hapja e Urës do të thotë zhvillim për vet serbët atje.
“Pse argumenti i Stanos për Urën e Ibrit si çështje shpërthyese, nuk qëndron? Sepse janë pikërisht politikat e stabilokracisë në dëm të paqes, demokracisë e sovranitetit të shtetit të Kosovës, nga ana e BE-së dhe e ish-qeverive të Kosovës, që për vite me radhë, kanë shndërruar veriun e vendit në qerdhe të krimit të organizuar e të korrupsionit. Nga gjendja e kriminalizuar në veri, veç soji i Radojçiqit dhe partnerëve të tij në biznes e në politikë, kanë qenë përfitues. Humbësit ishin të gjithë të tjerët por më së shumti, vet qytetarët serbë atje. Pra, hapja e Urës do të thotë perseptivë zhvillimore e ekonomike për vet serbet në radhë të parë.” – ka shkruar ai.
Ndërkohë, në këtë intervistë, Stano ka komentuar edhe takimin e kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e BE-së, duke theksuar se Kosova është nën masa nga BE-ja e ShbA-ja, për shkak të – siç thotë ai – veprimeve që kanë çuar në eskalim.
“Javën e kaluar, BE-ja, gjithë QUINT-i pra miqtë e Kosovës, ShBA-ja, shtete kyçe të Bashkimit Evropian shkuan te kryeministri Kurti dhe i thanë: “mos e bëj këtë, mos bëj veprime të njënashme, mos e hap urën”. Por ai duket i vendosur ta bëjë. Kështu, ne thamë, “jo, do të ketë ndikime shumë negative”. Kjo lëndon popullin, por iu lëndon edhe juve, sepse Kosova është nën masa të BE-së, dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të veprimeve të vazhdueshme që kanë çuar në eskalim. Kjo s’e ndihmon askënd, përkundër, ka veprime shumë negative në një numër të madh njerëzish.” – tha ai.