Deklaratat që i dha në Prishtinë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, se Kosova ka kushte të tjera për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, kanë alarmuar edhe Berlinin.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, i është kundërpërgjigjur ashpër komenteve të dhëna nga emisari amerikan.
Abraham thotë se Escobar nuk ka pse të përfshihet në këtë çështje, sepse i takon vetëm Këshillit të Evropës të vendosë se kush i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
“Unë isha i irrituar por edhe i befasuar me komentet që dha në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Me aq sa di dhe jam i informuar unë, Kosova nuk po planifikon të bëhet anëtare e Shteteve të Bashkuara. Pra ky xhentëlmen amerikan duhet ta lë Këshillin e Evropës të vendos për rregullat e veta dhe të mos vendos kushte të reja në këtë proces. Natyrisht që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një pikë e rëndësishme por nuk ndërlidhet fare me këtë proces”, tha ai për Tëvë1.
Tutje, deputeti gjerman thotë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte i vetmi kusht i mbetur i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill.
“Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit ishte i vetmi kusht i mbetur për Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, kështu është e shkruar edhe në raportet që ne kemi. Këtu po flas vetëm për Këshillin e Evropës që është një trup i pavarur me rregullat e veta dhe me kushtet e veta që përcakton se kush mund të bëhet vend anëtar”, shton ai.
Deputeti konservator, tregon se Gjermania është duke e mbështetur Kosovën në këtë proces dhe se shpreson që shtetet aleate nuk do të ndryshojnë qasje në momentet e fundit.
“Jam shumë optimist se Kosova mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sepse i ka përmbushur kushtet. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Ajo që mund të them unë është se delegacioni gjerman po e mbështet fuqishëm Kosovën në këtë drejtim. Tani na takon që t’i bindim edhe vendet që janë pak më skeptike ta mbështesin Kosovën për t’u organizuar në këtë organizatë. Nuk ka kuptim që Serbia të angazhohet kundër Kosovës në këtë proces, sepse komuniteti serb do të përfitonte nga anëtarësimi i Kosovës në Këshill”, përfundon ai.
Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, kurse dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.
Në Këshillin e Evropës vendimet merren me shumicë andaj mundësia e pranimit të Kosovës është reale.