Agjencia Kundër Korrupsionit ka iniciuar zyrtarisht procedurën e verifikimit të pasurisë për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ky vendim vjen pasi institucioni ka konstatuar mospërputhje dhe dallime të theksuara në deklarimet e saj pasurore mes viteve 2024 dhe 2025.
Burime të besueshme brenda Agjencisë kanë konfirmuar për VOX Kosova se hetimi administrativ nisi pas vërejtjes së ndryshimeve në vlerat që presidentja ka pasqyruar në formularët zyrtarë. Specifikisht, lëvizjet lidhen me një rritje të ndjeshme të kursimeve dhe shtimin e parave të gatshme të deklaruara në vitin 2025, çka ka detyruar institucionin të ndërmarrë verifikime shtesë konform ligjit.
Osmani, e cila shpesh është në fokus të opinionit publik për standardin e saj të jetesës, zotëron një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës. Përveç kësaj, ajo posedon pasuri të shumta të paluajtshme, ku përfshihen prona në Australi, mes të cilave një shtëpi me vlerë mbi gjysmë milioni euro. Gjithashtu, në deklarimet e fundit, ajo ka konfirmuar se bashkë me bashkëshortin zotërojnë një banesë në Prishtinë, si dhe tokë e një tjetër shtëpi në kontinentin australian./lajmishqip.net
