Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar ashpër Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për menaxhimin e dobët të komunës së Prishtinës dhe përpjekjet e saj për të shmangur përgjegjësinë.
Në një postim në rrjetet sociale, Bajqinovci theksoi se LDK-ja po ankohet për mungesë fondesh nga niveli qendror, duke pretenduar se i janë ndaluar 28 milionë euro. Megjithatë, ai përmendi se Prishtina ka pasur suficit rekord me mbi 50 milionë euro çdo vit, që nuk janë shfrytëzuar si pasojë e “paaftësisë dhe keqmenaxhimit.”
Bajqinovci gjithashtu kritikoi LDK-në për dështimin në përmirësimin e shërbimeve komunale: “Niveli qendror nuk t’a rregullon dixhitalizimin e procesit mësimor, kaosin në trafik, qentë endacak, mbeturinat dhe shërbimet tjera komunale.”
Ai vuri në dukje një distancim të fundit të LDK-së nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. “Kryetari i LDK-së nuk e përmend më askund në postimet e tij, ndonëse më herët i kushtonte deri në 3 postime në ditë Përparimit,” tha Bajqinovci, duke shtuar se pavarësisht përpjekjeve për t’u distancuar, “dështimi në kryeqytet ka një emër: LDK.”
Në përfundim, ai ironizoi duke thënë se arritja më e madhe e LDK-së në Prishtinë janë “100 kontejnerët e mbeturinave.”