Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka njoftuar një marrëveshje të re që do t’i lejojë Ukrainës të përdorë 1.6 miliardë funte (rreth 1.8 miliardë euro) nga fondet e financimit të eksportit të Mbretërisë së Bashkuar për të blerë 5,000 raketa mbrojtëse ajrore. Kjo iniciativë, përveçse do të ndihmojë Ukrainën në mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike, pritet të krijojë edhe vende të reja pune në sektorin britanik të mbrojtjes.
Starmer theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje duke deklaruar: “Kjo do të jetë jetike për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe forcimin e Ukrainës.” Ai gjithashtu shtoi se Mbretëria e Bashkuar është e përgatitur të mbrojë paqen në Ukrainë, përfshirë “çizmet në tokë” dhe “aeroplanët në ajër”, në bashkëpunim me aleatët e saj.
Në një lëvizje të rëndësishme strategjike, Starmer njoftoi gjithashtu se Britania e Madhe, së bashku me Francën dhe shtete të tjera evropiane, janë duke hartuar një plan për ndalimin e luftës në Ukrainë. Ky plan do t’i paraqitet Shteteve të Bashkuara për miratim.
“Pika jonë fillestare duhet të jetë ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm tani,” deklaroi Starmer. Ai shtoi se çdo marrëveshje duhet të mbështetet nga forca, duke bërë thirrje që çdo komb të kontribuojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke sjellë aftësi dhe mbështetje në tryezën e negociatave.