Brenda 30 minutave që tronditën botën – si i nxori Delta Force nga shtrati Maduron dhe bashkëshorten e tij?

2 minutes, 50 seconds Read

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i gjerë amerikan në Venezuelë, ku presidenti i vendit, Nicolas Maduro, u rrëmbye me sukses dhe u nxor nga kufijtë drejt një vendndodhjeje të pacaktuar, sipas vetë presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas detajeve të fundit, misioni amerikan – i ndërmarrë nga forca elitare Delta – zgjati vetëm 30 minuta.

Kjo përfshiu kohën e bombardimeve në pika të caktuara strategjike ushtarake, si edhe rrëmbimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, për ta nxjerrë nga vendi.

“Një bashkëpunëtor i CIA-s brenda qeverisë së Karakasit ndihmoi në kapjen e Maduros”

Operacioni që çoi në kapjen e Nicolas Maduros u mbështet nga një “spiun” brenda qeverisë së Karakasit, i cili e mbajti CIA-n vazhdimisht të përditësuar mbi lëvizjet e presidentit venezuelian deri në momentin e nxjerrjes së tij nga vendi.

Kështu i kanë bërë të ditur gazetës New York Times disa burime të mirëinformuara, sipas të cilave prej ditësh pozicioni i Maduros monitorohej vazhdimisht nga një tufë dronësh “stealth”.

Maduro dhe gruaja e tij u kapën ndërsa flinin

Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u nxorën nga dhoma e tyre e gjumit nga forcat amerikane gjatë bastisjes së kësaj të shtune.

Kështu raporton CNN, duke cituar disa burime, sipas të cilave çifti u kap në mes të natës, ndërsa po flinin.

Operacioni u krye nga Delta Force

Operacioni i zhvilluar gjatë natës për kapjen e presidentit venezuelas Nicolás Maduro, i konfirmuar nga burime amerikane për CBS News, u krye nga Delta Force, një nga njësitë më sekrete dhe elitare të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Angazhimi i kësaj force tregon nivelin maksimal të rëndësisë dhe ndjeshmërisë së operacionit.

E njohur zyrtarisht si 1st Special Forces Operational Detachment–Delta (1st SFOD-D), Delta Force u themelua në vitin 1977 si përgjigje ndaj rritjes së terrorizmit ndërkombëtar.

Njësia u krijua me iniciativën e kolonelit Charlie Beckwith, i frymëzuar nga struktura dhe metodat e forcave speciale britanike SAS.

Edhe pse administrativisht është pjesë e Ushtrisë Amerikane, Delta Force vepron nën komandën e Joint Special Operations Command (JSOC) dhe raporton drejtpërdrejt në nivelet më të larta të qeverisë amerikane.

Ajo njihet edhe me emra të tjerë operacionalë si Combat Applications Group (CAG), “The Unit” apo Task Force Green, për shkak të natyrës së fshehtë të misioneve të saj.

Misionet kryesore të Delta Force përfshijnë kundër-terrorizmin, kapjen ose eliminimin e objektivave me vlerë të lartë, shpëtimin e pengjeve, operacionet e drejtpërdrejta dhe zbulimin e thellë.

Njësia përbëhet nga ekipe të vogla operatorësh shumë të trajnuar, të aftë të veprojnë në kushte ekstreme dhe në territore armiqësore.

Rekrutimi në Delta Force është jashtëzakonisht selektiv.

Kandidatët vijnë kryesisht nga Forcat Speciale (Green Berets) dhe Regjimenti i 75-të Ranger, ndërsa procesi i përzgjedhjes dhe trajnimit konsiderohet ndër më të vështirët në botë.

Vetëm një përqindje shumë e vogël e kandidatëve arrin të bëhet pjesë e njësisë.

Delta Force është e pajisur me armë dhe teknologji të avancuara, duke përfshirë pushkën HK416 dhe pajisje të specializuara për operacione urbane, ajrore dhe të fshehta.

Publikime te ngjashme