Senatori Bernie Sanders ka kritikuar ashpër Donald Trump dhe lëvizjen e tij politike, duke e cilësuar si një kërcënim për demokracinë amerikane. Në një op-ed për The Guardian, Sanders shkruan se “Trumpizmi nuk beson në demokraci” dhe se lufta kundër tij nuk mund të fitohet nga politikanët e Uashingtonit, por nga njerëzit në terren.
“Pse po organizojmë takime publike në të gjithë vendin – veçanërisht në zonat konservatore? Përgjigja është e qartë,” shkruan ai. “Trumpizmi nuk do të mposhtet nga politikanët brenda Uashingtonit.”
Sanders ka planifikuar evente në Nebraska dhe Iowa, ku synon të flasë me amerikanët që kundërshtojnë autoritarizmin dhe shkurtimet e shkatërruese të Trumpit ndaj qeverisë federale.
Trumpizmi dhe kërcënimi ndaj demokracisë
Sanders vuri në dukje lidhjen e Trumpit me miliarderin e teknologjisë, Elon Musk, si dhe përpjekjet e tij për të shkurtuar shpenzimet federale, gjë që do të përfitonte super të pasurit përmes uljes së taksave.
“Trumpizmi nuk beson në demokraci apo në sundimin e ligjit,” thekson ai. “Së fundmi, Trump deklaroi: ‘Ai që shpëton vendin e tij nuk shkel asnjë ligj’. Me fjalë të tjera, ai beson se mund të bëjë çfarë të dojë, të injorojë Kongresin apo gjykatat. Ai e konsideron veten mbi ligjin.”
Sanders thekson se lufta e vërtetë e popullit amerikan është mbrojtja e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por edhe çmontimi i oligarkisë dhe krijimi i një ekonomie që punon për të gjithë, jo vetëm për një pakicë të pasur.
Një thirrje për veprim
Në një kohë kur shumë amerikanë ndihen të lodhur nga autoritarizmi i hapur i Trumpit, Sanders po bën një thirrje për bashkim dhe rezistencë:
“Ky është një moment i rrezikshëm në historinë amerikane. Le të ecim përpara së bashku,” përfundon ai.
Më poshtë gjeni fjalën e Sunders: