Behrami akuzon LVV-në për shkelje të Kushtetutës në Kuvend, kërkon Agjenci për Mbrojtjen e rendit kushtetues

0 minutes, 53 seconds Read

Bllokada e vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës dhe dështimi i seancës së 46-të konstituive kanë nxitur debate rreth mbrojtjes së rendit kushtetues. Palët opozitare akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetutës duke tentuar të ndryshojnë rendin e ditës dhe duke kufizuar fjalën e deputetëve.

Në këtë sfond, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka propozuar krijimin urgjent të një institucioni të ri – Agjencisë për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Behrami theksoi se një agjenci e tillë është e nevojshme “si kurrë më parë”. Sipas tij, ky institucion do të mbronte rendin kushtetues nga “grupe që nuk e pranojnë atë, por edhe nga individë që shkelin vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

Kjo kërkesë vjen në një moment tensioni të lartë, teksa afati i 26 korrikut i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit po afrohet, duke shtuar presionin mbi të gjitha palët politike, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme