Ballkani ka fituar me rezultat 2-0 ndaj Hamrunit në Maltë, duke siguruar kështu kualifikimin në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës.
Rasti i parë në këtë ndeshje i takoi Ballkanit të cilët rrezikuan në minutën e katërt përmes Bernard Karricës por që ai nuk ia doli të shënojë.
Një tjetër mundësi e mirë për Ballkanin u krijua në minutën e 17-të, kur Almir Kryeziu detyroi portierin vendas Bonello që të intervenojë.
Dominimi i therandasve ishte i plotë gjatë këtyre 45 minutave të para, ndërsa vendasit nuk arritën që të rrezikojnë asnjëherë seriozisht portën e Enea Koliçit.
Në pjesën e dytë të besuarit e Ilir Dajës rritën intensitetin dhe eventualisht arritën të gjejnë portën në dy raste për të siguruar kalimin tutje.
Golin e epërsisë për Ballkanin e shënoi Walid Hamidi i cili shfrytëzoi një pasim të gabuar të portierit për të shënuar për 1-0 në minutën e 64-të.
Therandasit patën edhe dy mundësi të mira shënimi pas golit të parë me anë të Karricës edhe Queven, por që nuk ia dolën të shënojnë.
Goli i qetësisë për Ballkanin erdhi në minutën e 76-të nga Bernard Karrica i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 2-0.
Kundërshtari i ardhshëm i Ballkanit në Ligën e Konferencës pasi eliminuan Hamrunin do të jetë ekipi nga Irlanda Veriore, Larne./Telegrafi