Mediat portugeze raportojnë se ai jetonte prej 11 vitesh në një apartament luksoz në Lisbonë.
I dënuar në Itali me gati 22 vite burg për vrasje, Kaçorri kaloi pa u vënë re, duke mos e ndalur asnjëherë veprimtarinë e tij kriminale. Në të njëjtën ndërtesë, vetëm një kat më lart, jetonte Icaro Leddy Gouveia, një operativ i mafias Mocro, i njohur si mafia marokene, por që vepron kryesisht në Holandë.
Së bashku, të dy burrat dyshohet se drejtuan një rrjet kushtuar trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili operonte në Portugali dhe Holandë. Dhe gjithçka e kishin vendosur dhe koordinuar nga ajo ndërtesë.
Sipas autoriteteve portugeze, atyre iu janë sekuestruar “sasi të mëdha parash, disa automjete të nivelit të lartë, mallra luksi, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike”.
Kaçorri është kunati i Ervis Martinajt, i njohur si “Mbreti i lojërave të fatit”, i zhdukur që prej gushtit 2022.