Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur arrest shtëpie për kryetarin e Bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre në lidhje me zbatimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak për ndërtimin e rrugës “Stacioni i Anijes Palç – Guri i Lules” me gjatësi 3.2 kilometra.
Hetimi ka nisur fillimisht nga Prokuroria e Kukësit dhe ajo e Tropojës më 9 Gusht 2021 për veprat penale shpërdorim detyre, prerje e paligjshme e pyjeve dhe shkatërrim i pronës. Më 12 Shtator 2023, këto dy procedime janë bashkuar në një të vetëm dhe çështja më pas i kaloi SPAK-ut si autoriteti kompetent për të hetuar zyrtarët e lartë.
Nga hetimet e deritanishme, SPAK thotë se deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Rexhë Byberi në bashkëpunim me Abedin Kërrnaja, ka kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës gjatë procesit të për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Gjatë hetimeve, SPAK urdhëroi kryerjen e aktit të ekspertimit teknik-topografik, nga ku rezultoi se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 Lekë.
Prokuroria e Posaçme argumenton se punimet për ndërtimin e rrugës janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, për të cilat kompania e interesuar për ndërtimin e segmentit duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës.
Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, të tilla si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.
Për këtë arsye, ndaj kryetarit dhe nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës është vendosur nga GJKKO arrest në shtëpi.
Nuk ka ende informacion nëse masat e sigurisë për dy zyrtarët të jenë ekzekutuar, pra të jenë vënë nën arrest./Tv Klan