Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim të veçantë për Kombëtaren e Shqipërisë, duke përshëndetur suksesin e saj në këto kualifikime për Kupën e Botës.
Ndër të tjera, Kurti ka shkruar edhe për fitoren e madhe historike të kuqezinjve ndaj Serbisë në Leskovc.
Ai shprehu dëshirën e tij të madhe që Kosova të takohet me Shqipërinë në turneun final të Kampionatit Botëror, i cili do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
“Shqipëria, sikurse Kosova, e përmbyll fushatën e dyta, duke kaluar tutje në fazën tjetër. Nuk do ta harrojmë asnjëherë fitoren ndaj Serbisë në Leskovc, përkundër ndalimit të pjesëmarrjes së tifozëve kuqezi dhe të flamurit kombëtar, e nën brohoritjet e tifozëve serbë kundër Kosovës, pikërisht nga qyteza që ne e njohim më së shumti për burgun famëkeq atje. Urojmë që me Shqipërinë të shihemi në Botëror! Shumë fat në ndeshjet e ardhshme!”, shkruan Kurti në llogarinë e tij në “Facebook”.
Shqipëria përfundoi e dyta në grupin e saj, duke siguruar “play-offin” e Botërorit, ndërsa Kosova ka edhe një ndeshje deri në mbyllje të këtij cikli kualifikues. Megjithatë, me shumë gjasë do të mbetet e dyta, përveç nëse e mposht Zvicrën me një rezultat 6-0./lajmishqip.net
Shqipëria përfundoi e dyta në grupin e saj, duke siguruar “play-offin” e Botërorit, ndërsa Kosova ka edhe një ndeshje deri në mbyllje të këtij cikli kualifikues, megjithatë me shumë gjasë do të mbetet e dyta, përveç nëse e mposht Zvicrën 6-0.
