Albulena Haxhiu po sa ishte bërë ministre e Drejtësisë e kishte anuluar një konkurs për noterë, i mbajtur në kohën e paraardhësit të saj, Abelard Tahiri, sepse ministrja e re thoshte se konkursi qe kurdisur nga Tahiri për të rehatuar këshilltarët e vet.
Mes këtyre këshilltarëve të Tahirit, si kandidate në konkurs ishte edhe juristja Tea Blakaj.
Blakajt konkursi iu mbyll, por fati jo.
Ajo aktualisht është këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, derisa i njëjti e ka emëruar si udhëheqëse të grupit punues për Strategjinë Kundërkorrupsion.
Pra, njeriu kryesor i qeverisë së Kurtit për të hartuar Strategjinë Kundërkorrupsion dhe luftuar korrupsionin është ish këshilltarja e shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
“Po, mund të konfirmoj se znj. Blakaj ka qenë këshilltare e jashtme e imja që realizonte pagë nga ambasada në funksion të punës dhe angazhimit në fushën e drejtësisë komerciale”, ka treguar Tahiri për Albanian Post kur është pyetur për ta konfirmuar Blakajn si ish-këshilltare të tij.
Historia nuk përfundon këtu.
Blakaj ishte larguar nga ekipi, për siç thotë Tahiri, mos përmbushje të pritjeve.
“Përkundër fuqizimit dhe zgjerimit të ekipit tim me këshilltarët e jashtëm, veçmas në rastin e Teas nuk mund të mos jem korrekt në përgjigje duke ju thënë se e njëjta nuk i kishte përmbushur pritjet e mia. Prandaj edhe nuk kisha si të vazhdoja bashkëpunimin me të në të ardhmen”, thotë Tahiri.
Albanian Post merr vesh nga burime të tjera që një nga arsyet e largimit të Blakaj ishte se e njëjta u zu duke bërë përkthime të fjalimeve nga anglishtja dhe prezantim të atyre shkrimeve si të sajat për ministrin.
Po ashtu, sa ishte këshilltare të Tahirit, kishte kërkuar në disa raste që të transferohet në zyrën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ajo kishte shprehur se dëshirë e saj ishte t’i bashkohej ekipit të presidentit, edhe për shkak të vlerësimit të lartë që kishte për Thaçin.
Dëshirë kjo e parealizuar meqë nuk kishte përformuar siç duhej as në kohën sa ishte këshilltare e Tahirit.
Albanian Post ka provuar të marrë përgjigje dhe nga kryeministria se si është e mundur që e kanë vendosur si personin kryesor për luftimin e korrupsionit dikë që paraprakisht e kanë akuzuar si vartëse të një ministri nga radhët e PDK-së, por si gjithmonë nuk është kthyer përgjigje prapa.
Në anën tjetër, edhe Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), pati deklaruar në emisionin “Tempus” në KTV se “ Lëvizja Vetëvendosje fatkeqësisht është duke marrë njerëz nga PDK-ja, AAK-ja, LDK-ja që kanë qenë njerëz të dështuar në këto parti”.
“Nëse marrim sot Strategjinë Kundërkorrupsion udhëhiqet nga një person e cila ka qenë këshilltare e Abelard Tahirit edhe e njëjta sot udhëheq me grupin punues edhe pse është këshilltare politike, po flasim për Strategjinë Kundërkorrupsion”, pati deklaruar Miftaraj.
Përndryshe, Blakaj mund të shihet shumë shpesh me Kurtin në takime zyrtare, vecanërisht kur temat janë për korrupsionin.
Ajo ishte prezentë edhe në takimin që Kurti kishte pasur me Auditoren e Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca.
Anash Kurtit ndodhej pikërisht Blakaj dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Albanian Post merr vesh nga burimet po ashtu se Blakaj është personi që pritet të zëvendësojë Albulena Haxhiun si ministre në qeverinë e ardhshme, nëse Lëvizja Vetëvendosje i fiton sërish zgjedhjet.