Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër, duke theksuar se rreziku aktual është në nivele të paprecedentë, ndërsa bëri thirrje urgjente për ndaljen e menjëhershme të përshkallëzimit të konfliktit.
Përmes një reagimi zyrtar në platformën X, Guterres vuri në dukje se sulmet e paligjshme që po ndodhin në Lindjen e Mesme dhe përtej saj po shkaktojnë vuajtje të tmerrshme për popullsinë civile. Ai nënvizoi se këto zhvillime paraqesin një kërcënim serioz për ekonominë globale, duke goditur veçanërisht shtresat më të cenueshme.
“Gjendja aktuale rrezikon të dalë jashtë kontrollit të secilit aktor. Është koha që luftimet të pushojnë dhe të nisin bisedimet serioze diplomatike. Rreziku për sigurinë botërore nuk ka qenë asnjëherë kaq i lartë sa sot,” deklaroi me shqetësim kreu i OKB-së.
Në këtë linjë reagimi, Tom Fletcher, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështje Humanitare, kritikoi ashpër shumat astronomike që po shpenzohen për makinerinë e luftës. Ai denoncoi faktin se liderët politikë vazhdojnë të mburren me shkurtimin e fondeve të ndihmës për njerëzit që kanë nevojë jetike.
Fletcher paralajmëroi për një realitet të ri e të frikshëm që po instalohet në terrenet e luftës. Ai e cilësoi këtë situatë si një “aleancë gjithnjë e më vdekjeprurëse” mes teknologjisë moderne ushtarake dhe vrasjeve që po kryhen pa asnjë ndëshkim. /lajmishqip.net









