Kanceri kolorektal po shndërrohet në një kërcënim serioz dhe alarmant për popullatën e re në Shtetet e Bashkuara.
Bazuar në një analizë të fundit të Shoqatës Amerikane të Kancerit, kjo sëmundje tani figuron si shkaktari kryesor i vdekjeve nga kanceri mesin e personave nën moshën 50-vjeçare në SHBA.
Ekspertët shëndetësorë bëjnë thirrje urgjente që të rinjtë të mos i anashkalojnë simptomat si gjaku në jashtëqitje apo çrregullimet e tjera digjestive, duke qenë se numri i diagnozave në këtë grupmoshë po shënon rritje drastike, sipas raportimit të The Guardian.
Një rast konkret është ai i Becca Lynch nga Denveri, e cila vitin e kaluar, në moshën vetëm 29-vjeçare, u diagnostikua me kancer të avancuar të zorrës së trashë.
Në fillim, ajo nuk e kishte idenë se shenjat mund të paralajmëronin diçka kaq serioze.
“Mendoja se gjithçka vinte si pasojë e stresit”, u shpreh ajo.
Fillimisht, Lynch vërejti ndryshime në formën e jashtëqitjes dhe një frekuencë të shtuar të shkuarjes në tualet, deri në gjashtë herë në ditë. Më pas, ajo filloi të vërente prani të gjakut të errët në çdo jashtëqitje.
Vendimi për të vizituar mjekun erdhi pasi pa një video në Instagram ku Cass Costley fliste për simptomat identike që kishin rezultuar të ishin kancer. Përkundër kësaj, Lynch e shtyu realizimin e kolonoskopisë për disa muaj, dhe kur më në fund e kreu, diagnoza ishte kancer i zorrës së trashë në stadiumin 3B.
Shkalla e lartë e diagnozave të vonshme te të rinjtë
Epidemiologia Rebecca Siegel thekson se kjo histori po përsëritet frikshëm shpesh.
“Pothuajse tre të katërtat e personave nën moshën 50-vjeçare marrin diagnozën kur kanceri është tashmë në një fazë të avancuar. Kjo ndodh sepse mungojnë kontrollet rutinë dhe simptomat injorohen, duke besuar se janë shumë të rinj për t’u prekur nga kjo sëmundje”, shpjegoi ajo.
Një pjesë e madhe e njerëzve supozojnë se gjakderdhja rektale vjen nga hemorroidet, duke e neglizhuar problemin. Edhe Costley fillimisht kishte rënë në të njëjtën kurth mendore.
Siegel këshillon rreptësisht që kushdo që përballet me gjakderdhje rektale për më shumë se disa javë duhet të konsultohet menjëherë me specialistin.
Për personat pa simptoma, ekzistojnë alternativa si testet e jashtëqitjes Cologuard ose Testi Imunokimik Fekal (FIT), të cilat mundësojnë zbulimin e hershëm të sëmundjes pa pasur nevojë për kolonoskopi të menjëhershme.
Pse po shënohet kjo rritje e hovshme te moshat e reja?
Përderisa te personat mbi 65-vjeç shkalla e kancerit kolorektal po bie me më shumë se 2 për qind çdo vit, te të rinjtë trendi është krejtësisht i kundërt.
Që nga vitet e 1990-ta, kjo sëmundje është ngritur nga pozita e pestë në shkaktarin kryesor të vdekjeve nga kanceri te personat nën 50 vjeç.
Komuniteti shkencor ende nuk ka një përgjigje definitive për këtë rritje. Siegel e cilëson këtë dukuri si një “efekt të brezave”, çka sugjeron se njerëzit e lindur pas viteve 1950 janë ekspozuar ndaj faktorëve të rinj të rrezikut.
Disa studiues dyshojnë se regjimi ushqimor luan një rol kyç, përfshirë konsumin e lartë të ushqimeve ultra-të përpunuara, mishit të procesuar dhe produkteve të paketuara në plastikë.
“Tani posedojmë dëshmi se mikroplastika mund të kalojë barrierën gjak-tru, kështu që zorra e trashë padyshim ekspozohet direkt ndaj tyre”, tha Siegel.
Edhe studiuesi Prosanta Chakrabarty nga Baton Rouge u diagnostikua me kancer të avancuar të zorrës së trashë në vitin 2024, përkundër kontrolleve të rregullta dhe një stili të shëndetshëm jete.
Të dy, Lynch dhe Chakrabarty, kanë vendosur të flasin publikisht për betejën e tyre për të inkurajuar njerëzit që të thyejnë tabutë dhe të mos kenë turp të diskutojnë për simptomat.
Lynch, e cila tani nuk ka simptoma pas ndërhyrjes kirurgjikale, theksoi se dëshiron të ndihmojë të tjerët që të mos i injorojnë shenjat paralajmëruese.
“Kjo është arsyeja kryesore pse pranova të jap një intervistë kaq personale… për jashtëqitjen time”, përfundoi ajo /lajmishqip.net










