Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka lëshuar akuza të forta ndaj dy subjekteve më të mëdha opozitare, PDK-së dhe LDK-së. Sipas saj, veprimet e tyre dëshmojnë një tendencë të qartë për ta çuar Kosovën drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Në një prononcim për mediat menjëherë pas dështimit të seancës për votimin e presidentit, Nagavci theksoi se qasja e këtyre partive opozitare konfirmon qëllimin e tyre të vetëm: bllokimin e procesit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Qasja e tyre dëshmon sërish tendencën e këtyre forcave politike për të pamundësuar zgjedhjen e presidentit. Ne bëmë të gjitha përpjekjet tona, dhe deputetët tanë ishin prezentë për të përmbushur obligimin kushtetues,” deklaroi Nagavci para gazetarëve.
Më tej, ajo kritikoi mungesën e komunikimit nga ana e opozitës, duke nënvizuar se mospjesëmarrja në votim ishte një veprim i qëllimshëm. “Nuk morëm asnjë njoftim zyrtar prej tyre, por me vetëdije të plotë ata zgjodhën të mos votonin për presidentin,” përfundoi ajo. /lajmishqip.net









