Një 41-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën tragjikisht, pasi u sulmua fatalisht nga një person që po tentonte të vidhte pako në hollin e një ndërtese në Bruklin, raporton NBC News NY.
Sipas policisë, viktima, i identifikuar nga familjarët si Burim Havolli (41 vjeç), u gjet me lëndime të rënda në kokë. Ai u transportua menjëherë në Spitalin e Qarkut Kings, ku fillimisht ishte në gjendje kritike, por më pas ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Burim Havolli punonte si mbikëqyrës në pallatin e apartamenteve në Bruklin. Familjarët shprehën tronditjen e thellë për humbjen e të afërmit të tyre, i cili përshkruhet si i respektuar në ndërtesë dhe lagje, dhe që u vra teksa kryente detyrën e tij.
Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur të mërkurën në mëngjes, pak pas orës 08:00, në një ndërtesë në Ocean Avenue, në zonën e Flatbush.
Policia e Nju Jorkut konfirmoi se një person është marrë në pyetje lidhur me rastin, por deri në këto momente nuk janë ngritur akuza zyrtare. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes mbeten në vazhdim.
Për vdekjen e Burim Havollit kanë njoftuar edhe familjarët e tij përmes rrjeteve sociale, të cilët bënë të ditur se varrimi i tij do të bëhet në Kosovë./lajmishqip.net
