Eksperti i sigurisë dhe themeluesi i Institutit “Octopus”, Agim Musliu, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ky hap nuk përbën as prishje të raporteve dhe as dobësim të aleancës mes dy vendeve.
“Pezullimi i përkohshëm i dialogut strategjik Kosovë–ShBA nuk është as prishje e raporteve dhe as dobësim i aleancës sonë – janë gjëra që ndodhin mes partnerëve. Marrëdhëniet Kosovë–ShBA kurrë s’kanë qenë më të forta: Amerika është mbështetësja më e madhe e sovranitetit tonë, ndërsa Kosova ka popullin më pro-amerikan në botë,” ka shkruar Musliu.
Ai kujtoi se përveç bashkëpunimit politik dhe diplomatik, Kosova ka marrëveshje konkrete me ShBA-në për furnizime me pajisje ushtarake moderne, përfshirë helikopterët Black Hawk, raketat Javelin, autoblindat dhe dronët Puma, si dhe programe trajnimi me Gardën Kombëtare të Iowas.
Sipas Musliut, partneriteti shtrihet edhe në sektorin e energjisë dhe sigurisë kibernetike, duke e përshkruar aleancën si “të përhershme, të pathyeshme dhe të palëkundur”.
“Kosova dhe ShBA mbeten të rreshtuara krah për krah, duke mbështetur edhe Ukrainën në luftën për liri – një dëshmi se aleanca jonë është e përhershme, e pathyeshme dhe e palëkundur,” përfundoi ai./lajmishqip.net