Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar sërish një kthesë të rëndësishme në skenën politike të vendit përmes një njoftimi të ri.
Përmes një komunikimi në rrjetin social Facebook, ai ka bërë të ditur se brenda një kohe të shkurtër do të iniciohet një front i gjerë politik dhe qytetar, i bashkuar rreth një projekti të përbashkët shtetëror.
Abdixhiku vlerësoi se tensionet e vazhdueshme, krizat ciklike dhe retorika e fajësimit po e dëmtojnë rëndë stabilitetin e Kosovës, duke theksuar domosdoshmërinë urgjente për një rrëfim të ri politik.
Ndonëse lideri i LDK-së nuk ka shpalosur detaje specifike, në qarqet politike po përflitet me të madhe se ky paralajmërim mund të jetë një sinjal për rikthimin e mundshëm të Presidentes Vjosa Osmani në subjektin e saj të dikurshëm.
Në mesazhin e tij, ai thirri për unitet mes institucionalistëve dhe mbrojtësve të rrugës euroatlantike, duke kërkuar tejkalimin e dallimeve të vogla dhe hidhërimeve të së shkuarës përballë fateve të së ardhmes. Sipas tij, Kosovës i duhet një jetë politike e normalizuar që e ankoron vendin përfundimisht në Perëndim, duke u zotuar se ky mision do të realizohet./lajmishqip.net









