Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim në seancën solemne për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ku nderoi flijimin e familjes Jashari në Prekaz.
Abdixhiku potencoi se flijimi i Jasharëve në altarin e lirisë nuk shënoi vetëm një akt historik, por shërbeu si thirrje kombëtare për të mos u ndalur deri në çlirim, njofton Klankosova.tv.
“Plot 28 vite më parë, në mesin e vullnetit të brezave përgjatë historisë, familja Jashari – Adem, Hamëz e Shaban Jashari bashkë me 56 anëtarë, të afërm e bashkëluftëtarë – ranë heroikisht për liri, duke u bërë jo vetëm simbol i sakrificës, por edhe alarm nacional për përfundimin e misionit që s’kishte kthim pas.
“Ademi, jo vetëm për nga simbolika e emrit por edhe përmes veprës, mbetet njeriu i parë që guxoi të shkelte në shtegun që askush tjetër nuk e perceptonte. Megjithëse kur e kujtojmë Ademin si nismëtarin, përqendrohemi kryesisht te rënia, te beteja e flijimi, duhet kuptuar se figura e tij si reflektim i popullit nuk lindi vetëm në aktin final.
“Përkundrazi, personalitetet që shndërrohen në ikona historike nuk krijohen në çastin e fundit, ata kaliten gjatë, në heshtje dhe përmes jetës së zakonshme e të përditshme”, përfundoi kryetari i LDK-së./lajmishqip.net









