Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përshëndetur aktin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislativit të vendit.
Me anë të një komunikimi në rrjetet sociale, Abdixhiku konfirmoi gatishmërinë e LDK-së për t’u bërë pjesë e konsultave rreth caktimit të datës së votimeve, duke lartësuar përgjegjësinë dhe saktësinë juridike që dëshmoi Presidentja Osmani në ruajtjen e rendit kushtetues dhe operimit të rregullt institucional.
“Lidhja Demokratike e çmon lart ndërgjegjen dhe kthjelltësinë ligjore të shpërfaqur në këtë dekret nga ana e saj, me qëllim mbrojtjen e shtyllave kushtetuese dhe ekuilibrit funksional të organeve të Republikës.
Ky kolaps politik, i shoqëruar nga prirjet e rrezikshme për imponim e improvizim, nuk mund të gjenerojë debate artificiale e as zvarritje formale që do ta katandisnin Republikën tonë në një hapësirë pa norma dhe pa parime.
“Mbi këtë bazë, jemi plotësisht të përgatitur t’u bashkohemi bisedimeve për terminin e zgjedhjeve dhe t’i kthehemi popullit për një rrugëdalje të re demokratike. Procesi zgjedhor nuk përbënte kurrë opsionin tonë parësor. Madje, ai ishte tërësisht i panevojshm dhe mjaft i lehtë për t’u evituar. Mjerisht, etja për dominim njëpartiak mbi çdo sferë shtetërore e bëri të pamundur arritjen e ndonjë ujdie. Tashmë fjala u mbetet qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në një sistem demokratik, vendimi përfundimtar i takon vetëm sovranit”, përfundoi lideri i LDK-së./lajmishqip.net









