Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.
Kurti në letrën të cilën ua ka dërguar tri partive opozitare thekson se arsyeja pse ka takuar krerët e partive dhe shefat e grupeve parlamentare ka të bëjë me atë që të diskutohen hapat për përmbushjen e agjendës legjislative.
E kësaj letre të Kurtit tashmë i është përgjigjur zyrtarisht i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku në një përgjigje me shkrim i ka thënë Kurtit se LDK ashtu si deri më tani, do të vazhdojë t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, derisa për agjendën legjislative Abdixhiku ka thënë se është çështje që diskutohet në Kryesi të Kuvendit ku partitë politike dhe përfaqësuesit politik i japin qëndrimet.
Megjithatë Abdixhiku thotë se Kurti është i vonuar ne ftesën e tij për bashkëpunim me opozitën pasi sipas Abdixhikut ai deri më tani “ ka mbjellë polarizim të skajshëm dhe ofendues ndaj të gjitha partive tjera politike në Kosovë”, ka deklaruar mes tjerash Abdixhiku.