27 vjet nga rënia e heroit Ilmi Bahtijari. Amaneti: “Armën time t’ia jepni djalit dhe kurrë të mos zbrazet”
Shkruan: Demir Reshiti
Të premten, më 15 maj 2026, u mbushën 27 vjet nga rënia heroike në altarin e lirisë e heroit të kombit, Ilmi Bahtijari.
Të shkruash për dëshmorët e kombit nuk mjaftojnë fjalët, sepse heroizmi, trimëria dhe sakrifica e tyre janë më të mëdha se çdo fjali e shkruar. Ata dhanë më të shtrenjtën — jetën — që ne sot ta jetojmë lirinë, ta flasim shqip fjalën e lirë dhe ta valojmë krenarë flamurin kuqezi mbi tokën tonë.
Dëshmorët e kombit lindën dhe u rritën në zemër të gurit shqiptar, duke u bërë kala të pathyeshme të Kosovës së lirë e sovrane. Ata u bënë shtylla të forta të kësaj toke, që Kosova të ecë krenare drejt paqes dhe shtetndërtimit, pavarësisht stuhive dhe sfidave që sjell koha.
Trimat e lirisë e dinin se liria i ka rrënjët në gjak. Dhe kur liria lind nga gjaku i bijve më të mirë të kombit, ajo bëhet më e bukur se pranvera, më e shenjtë se vetë jeta. Prandaj ata i rrokën armët pa drojë dhe u flijuan me vetëdije, duke hyrë përjetësisht në historinë e lavdishme të kombit shqiptar.
Ne arritëm këtu ku jemi sot falë gjakut të dëshmorëve, falë sakrificës së popullit dhe falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u bë zëri i pushkës dhe i shpresës së një populli të robëruar.
Sot, dhembjen e kemi shndërruar në forcë, ndërsa krenarinë e mbajmë si amanet për trimat që i pati kjo tokë. Për brezat që do të vijnë, sakrifica e dëshmorëve do të mbetet udhërrëfyes se si duhet të çmohet liria dhe të ruhet shtetësia, sepse një komb që lind dëshmorë është komb që nuk vdes kurrë. Roje e kësaj ardhmërie mbetet gjaku i tyre i derdhur për atdhe.
Të shkruash për Ilmi Bahtijari, luftëtarin e ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është gjithmonë e vështirë. Sado të thuhet për të, mbetet pak për njeriun që dha më sublimen nga vetja- gjakun e tij, për ta bërë edhe më të kuqe ngjyrën e flamurit në të cilin u betua. Ai ra për ta mbrojtur atë flamur dhe u mbështoll me të edhe në çastin kur iu dorëzua përjetësisë.
Dëshmorët e kombit, me aktin e tyre të flijimit për atdheun, e kryen obligimin më të shenjtë ndaj kombit. Ndërsa neve, që sot i gëzojmë frytet e lirisë, na mbetet detyrë morale dhe kombëtare që ta ruajmë amanetin e tyre, ta forcojmë shtetin dhe të mos harrojmë kurrë rrugën e gjakut që na solli deri te liria.
Biografia e heroit të kombit Ilmi Bahtijari – “Oçalani”
Ilmi Bahtijari lindi në fshatin Blaç të komunës së Sharrit, në një familje me tradita të thella patriotike. Qysh herët u dallua për shpirtin liridashës dhe urrejtjen ndaj padrejtësisë.
Përplasjen e parë me pushtuesin serb e pati ende si nxënës i shkollës së mesme. Si përkrahës i demonstratave të vitit 1981, ai u përjashtua nga shkolla dhe më pas vazhdoi mësimet në Prizren.
Ilmiu kishte pasion të veçantë për armët, të cilat dinte t’i përdorte që në rininë e hershme. Por po aq shumë e donte edhe librin. Lexonte vazhdimisht, sidomos literaturë historike, dhe dallohej si recitues i shkëlqyer. Ishte komunikues i rrallë, me shpirt artisti dhe humor të hollë. Arsimtarët e angazhonin në shfaqje teatrale e skeçe humoristike, ku talenti i tij binte menjëherë në sy. Ishte i urtë dhe i dashur me njerëzit, por ndaj padrejtësive bëhej i ashpër si vetë koha nëpër të cilën kalonte kombi shqiptar.
Një kohë jetoi në Rumani, më pas shtatë vite në Austri (1990–1996), ndërsa dy vitet e fundit në Zvicër. Në mërgim u angazhua në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe mori pjesë aktive në protestat e organizuara në Zvicër e Gjermani për çështjen kombëtare.
Ilmiu u dënua dy herë me burg, por as burgjet dhe as përndjekjet nuk arritën t’ia thyejnë idealin për liri.
Në vitin 1998, ndër të parët iu përgjigj kushtrimit të atdheut dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për afro gjashtë muaj luftoi në Gllogjan, në njësitin “Shqiponjat e Zeza”, ku shokët e armës ia dhanë nofkën “Oçalani”.
Pas një qëndrimi të shkurtër në Zvicër, në janar të vitit 1999 ai kthehet fshehurazi në Kosovë. Policia serbe bie në gjurmët e tij dhe ai detyrohet të largohet ilegalisht drejt Austrisë.
Kur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dha kushtrimin për mobilizim të përgjithshëm, Ilmiu, ndonëse ishte aktiv në grumbullimin e fondeve për luftën, vendosi të rikthehej sërish në vijën e frontit. Përmes Italisë, më 2 prill 1999, mbërriti në Durrës dhe prej aty shkoi në Kolsh e më pas në qendrën stërvitore në Papaj.
“Oçalani” u bë shpejt i njohur për të gjithë ushtarët. Ai ua ngrinte moralin bashkëluftëtarëve me këngë patriotike dhe vargje frymëzuese. Mbi tre mijë ushtarë e njihnin emrin e tij dhe e përmendnin me respekt.
Një ditë para hyrjes në frontin e Koshares, Ilmiu zbuloi një burim uji dhe me duart e veta e rregulloi që të përdorej nga ushtarët. Bashkëluftëtarët, për nder të tij, atë burim e quajtën “Kroi i Oçalanit”.
Ishte pikërisht Ilmi Bahtijari, bashkë me Lulzim Veselin, Muharrem Mehmetin dhe shokë të tjerë, ndër të parët që u paraqitën vullnetarë për të dalë në vijën e parë të frontit dhe për t’u përballur sy më sy me armikun.
Më 15 maj 1999, njësiti i Ilmiut sulmonte drejt pozicioneve të ushtrisë serbe. Lufta zhvillohej ashpër dhe nga afërsia. Në ato çaste filluan bombardimet e NATO-s dhe forcat serbe nisën të tërhiqeshin në panik. Ilmiu u vërsul drejt tyre, u pozicionua në një ekskavator të armikut dhe nisi të godiste me rafalë. Por në flakën e betejës, një predhë e goditi edhe atë.
Në çastet e fundit të jetës, ai ua la shokëve amanetin që sot kumbon si thirrje brezash:
“Armën time t’ia jepni djalit dhe kurrë të mos zbrazet.”
Ilmi Bahtijari u varros ditën e rënies në Varrezat e Dëshmorëve në Bajram Curr, ndërsa më 6 shtator 1999 u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Sharr. Në atë rivarrim madhështor morën pjesë mbi 10 mijë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, për ta nderuar heroin që jetën ia fali lirisë.
LAVDI HEROIT ILMI BAHTIJARI!



