Debati për atë se kush duhet ta autorizojë ekzaminimin e telefonave të sekuestruar, gjykata apo prokurori i shtetit, është rikthyer në vëmendje publike pas një rasti në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku u shpallën të papranueshme prova të nxjerra nga një telefon i sekuestruar, përfshirë edhe një video-incizim të konsideruar kyç për një aktakuzë korrupsioni.
Ky zhvillim u pa si “kthesë” procedurale, sepse ligjshmëria e këtyre provave ishte trajtuar e pranuar edhe në fazat paraprake të procedurës.
Në këtë kontekst, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një analizë që synon ta sqarojë kufirin ndërmjet sekuestrimit dhe ekzaminimit të pajisjeve elektronike, si dhe dallimin mes “përgjimit” dhe provave digjitale të marra nga pajisjet e sekuestruara.
Sipas IKD-së, ligji aktual – Kodi i Procedurës Penale – e bën të qartë se gjykata ka kompetencë për sekuestrimin e pajisjes, ndërsa autorizimi për ekzaminimin e të dhënave brenda saj është kompetencë e Prokurorit të Shtetit.
Analiza thekson se neni 145.2 i KPPRK-së parasheh shprehimisht që, kur pajisja merret ligjërisht me urdhër gjykate (ose me pëlqim), prokurori mund të autorizojë policinë ose ekspertin për ta shqyrtuar dhe analizuar përmbajtjen e saj.
Në të njëjtën kohë, IKD argumenton se nuk ekziston bazë juridike që gjykata të nxjerrë një vendim të veçantë për ekzaminim, pra gjykata “nuk e ka” këtë kompetencë: ajo vendos për sekuestrim, jo për analizën e të dhënave.
Pika kyçe e debatit lidhet me privatësinë: a është hyrja në përmbajtjen e telefonit e barasvlershme me “përgjim”? Sipas IKD-së, jo. “Përgjimi” rregullohet si masë e veçantë hetimore, ndërsa sekuestrimi dhe ekzaminimi i sendeve/provave trajtohen në kapituj të tjerë dhe me logjikë tjetër procedurale.
Prandaj, IKD paralajmëron se ndryshimi i praktikës mbi të njëjtin ligj mund të sjellë pasoja pasoja shumë të mëdha për sistemin e drejtësisë, që do të rrezikonte dështimin e shumë rasteve ku provat digjitale kanë qenë kruciale dhe krijon një situatë të pazbatueshme për të ardhmen, nëse kërkohet vendim gjyqësor për një kompetencë që gjykata nuk e ka.
Si rrugëdalje, IKD kërkon që gjykatat ta zbatojnë ligjin siç është, ta mbajnë të qartë dallimin mes përgjimeve dhe provave digjitale të sekuestruara dhe, nëse kanë dilema kushtetuese, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese përmes mekanizmit të referimit.
Analiza e publikuar nga IKD gjendët në këtë LINK!
