Richard Grenell, i dërguari për misione speciale i Presidentit Donald Trump, po gjeneron tensione të brendshme në Departamentin e Shtetit, teksa kritikët pohojnë se “veprimtaria e tij autonome” minon diplomacinë amerikane dhe cenon sigurinë kombëtare.
Kontradikta e fundit lidhet me një tentativë të pasuksesshme për lirimin e shtetasve amerikanë të ndaluar në Venezuelë, e cila dështoi për shkak se Grenell dhe Senatori Marco Rubio po ndiqnin marrëveshje paralele dhe të ndara, shkruan The New York Times.
Sipas raportimeve, marrëveshja e propozuar nga Grenell përfshinte një zgjatje të lejes së eksportit të naftës venezueliane për kompaninë Chevron, një mundësi politike të cilën Rubio e kishte kundërshtuar më herët, transmeton Telegrafi.
Ky episod i raportuar vë në pah mosfunksionimin brenda rrethit të ngushtë të Trump, duke reflektuar konfuzionin e ngjashëm rreth pezullimit të dërgesave të armëve për Ukrainën dhe objektivave të paqëndrueshme të tarifave.
“Kjo thjesht tregon se një pjesë e administratës nuk ka dijeni se çfarë po bën pjesa tjetër, dhe kjo mund të vendosë amerikanët në rrezik”, deklaroi senatori Chris Van Hollen për The Hill në lidhje me mosmarrëveshjet për Venezuelën.
Muajin e kaluar, Van Hollen iu bashkua një grupi dypartiak prej 20 senatorësh që i kërkuan Rubios të vijonte përpjekjet për të siguruar lirimin e të paktën tetë amerikanëve të ndaluar padrejtësisht në Venezuelë.
Grenell mbetet një figurë polarizuese në universin e Trump. Ai vlerësohet nga mbështetësit si një ndër mbrojtësit më të flaktë të presidentit dhe për gatishmërinë e tij për të sfiduar mendimin konvencional në politikën e jashtme.
Megjithatë, kritikët e tij brenda administratës ia dolën ta përjashtonin nga pozicionet e larta që ai synonte, si ai i Sekretarit të Shtetit dhe këshilltarit për Sigurinë Kombëtare.
Trump e caktoi atë si “të dërguar për misione speciale” me një mandat që përfshin nga Venezuela deri te Koreja e Veriut. Ai i ka shtuar portofolit të tij edhe postin e presidentit të Qendrës Kennedy në Uashington dhe u dërgua në Kaliforni për të menaxhuar përgjigjen federale ndaj zjarreve.
Por roli i tij në Venezuelë po intensifikon zërat kritikë që argumentojnë se diplomacia e tij anësore po dëmton interesat e SHBA-së. Ndonëse Grenell ka kthyer në shtëpi shtatë amerikanë të ndaluar, Rubio u detyrua në maj të hidhte poshtë publikisht sugjerimin e Grenell se Trump do të zgjaste licencën e Chevron në Venezuelë në këmbim të amerikanëve.
E pyetur mbi raportimin e The New York Times dhe se nga kush merr direktiva Grenell, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i tha The Hill: “Nuk ka asnjë fraksion apo ndarje. Presidenti ka një ekip dhe të gjithë e dinë se ai është vendimmarrësi final”.
Elliott Abrams, i cili shërbeu si përfaqësues special për Iranin dhe Venezuelën gjatë mandatit të parë të Trump, konfirmoi se ka “padyshim” tensione mes Grenell dhe Sekretarit të Shtetit.
“Mendoj se kjo është pasojë e faktit që Grenell vepron në mënyrë të pavarur”, u shpreh Abrams.
“Prandaj, besoj se ajo që duhet të ndodhë është që çështjet e jashtme t’i lihen Departamentit të Shtetit, në këtë rast Rubios dhe [Zëvendës Sekretarit të Shtetit] Chris Landau, dhe thjesht t’ia heqim këtë çështje nga duart Grenellit”, shtoi ai.
Një burim i afërt me rrethin e Trump u shpreh se “Ric Grenell është një njeri në kërkim të një pozicioni”.
Ndërsa një tjetër burim i familjarizuar me mendësinë e Shtëpisë së Bardhë e përshkroi Grenellin si “disi të pakontrolluar”.
“Do ta përshkruaja Ric-un si një top të lirë, ndoshta jo pak. Ai përfshihet në një milion gjëra. Vrapon kudo. Presidentit i pëlqen dhe kjo është një situatë klasike ku këta individë ndihen të fuqizuar. Nuk ka kontrolle dhe balanca”, shtoi burimi.
Emërimi i Grenellit si i dërguar special nuk kërkoi konfirmim nga Senati. New York Times raportoi në dhjetor se ndërsa Grenell synonte postin e Sekretarit të Shtetit ose një rol të lartë në inteligjencë, seancat dëgjimore do të kishin detyruar një shqyrtim të rolit të tij komunikues në emër të klientëve të huaj, përfshirë Hungarinë, Kongon, Kenian dhe Iranin.
Edhe pse të dërguarit specialë kërkojnë konfirmimin e Senatit nëse janë nën autoritetin e Sekretarit të Shtetit, Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, i kontrolluar nga republikanët, u pajtua me pikëpamjen e Trump se pozicioni funksiononte nën autoritetin presidencial dhe nuk kërkonte miratim nga Senati.
“Ric është një djalë i mirë, i afërt me presidentin, dhe bën një punë të mirë”, tha Senatori James Risch, kryetar i Komitetit, për The Hill kur u pyet për përpjekjet paralele të Grenell dhe Rubio në Venezuelë.
“Ai ka një rol të veçantë dhe unik. Si i tillë, ata gëzojnë mjaft liri veprimi, dhe unë e di që ai komunikon me ne vazhdimisht. Ai flet me Sekretarin e Shtetit gjatë gjithë kohës, kështu që kjo është gjithçka kam për të thënë”, deklaroi ai.
Të dërguarit e tjerë specialë të Trump – përfshirë Steve Witkoff për Lindjen e Mesme dhe Rusinë, Keith Kellogg për Ukrainën dhe Massad Boulos për Afrikën – kanë vepruar gjithashtu pa konfirmim të Senatit.
Michael Rubin, nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve, një organizatë konservatore, tha se Rubio duhet të ushtrojë më shumë autoritet për ta mbajtur Grenellin nën kontroll.
“Të gjitha administratat vuajnë nga individë që punojnë me qëllime të kundërta. Në administratën Trump, problemi përkeqësohet sepse Trump vepron në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe drejton përmes mediave sociale, ndaj vartësit i interpretojnë mandatet e tyre në mënyra të ndryshme”, shpjegoi Rubin.
“Në çdo administratë, detyra e Sekretarit të Shtetit ose këshilltarit të sigurisë kombëtare është ta frenojë këtë. Duke qenë se tani është vetëm një person – Marco Rubio – është e vështirë të mos ia atribuosh fajin atij”, shtoi ai.
Marrëveshja e raportuar e Grenell bie ndesh me qëndrimin e ligjvënësve që e konsiderojnë çdo përpjekje për të normalizuar apo legjitimuar diktatorin e Venezuelës, Nicolás Maduro, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare amerikane.
Në prill, Senatori Rick Scott përgëzoi Trumpin dhe Rubion për heqjen e licencës së Chevron, dhe më parë kishte deklaruar se “nuk ka asnjë skenar ku SHBA duhet të bëjë biznes me kriminelë si Maduro dhe regjimi i tij”.
Gjatë mandatit të parë të Trump, Departamenti i Drejtësisë paditi Maduron dhe 14 zyrtarë të tjerë të lartë për narko-terrorizëm, korrupsion, trafik droge dhe akuza të tjera penale.
Freddy Guevara, një figurë e opozitës venezueliane në mërgim, theksoi aleancën e Maduros me kundërshtarët e Amerikës si një arsye shtesë pse SHBA duhet të vazhdojë politikën e izolimit.
“Regjimi i Maduros varet nga kinezët, iranianët dhe rusët – njerëzit që mendojnë se po bëjnë realpolitikë thjesht po tregohen naivë”, tha ai.
“Nuk ka asgjë që Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë që do të jetë më e sigurt sesa mbështetja e Iranit, Kinës dhe Rusisë”, shtoi ai.
Në qarqet e brendshme, Rubio konsiderohet se ka më shumë ndikim te Trump sesa Grenell, të paktën për momentin, raporton lajmishqip.