Njiheni Pavarësinë e Kosovës! Kjo ishte thirrja e presidentit shqiptar Bajram Begaj drejtuar shteteve pjesëmarrëse në Sesionin e 78-të të Asamblesë së OKB-së.
Në fjalën e tij, Begaj tha se Kosova ka arritur të shërojë “shumë plagë të thella” nga e kaluara tragjike dhe se ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi. Megjithatë, siç tha Begaj, Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende.
“Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës!”, u shpreh Begaj.
Ai shprehu shqetësimin edhe për bërjen jo aktive të adresave të banimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon”, tha Begaj.
Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kreu i shtetit shqiptar e konsideroi si platformë unike për bashkëpunim global dhe që ofron shpresë për një botë më të mirë. Ai vuri theksin edhe te roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si në nivel rajonal, ashtu dhe në atë global, në kërkim të paqes dhe sigurisë.