Tuneli i Llogarasë çon SPAK-un në Kuvend: kërkohet autorizim për arrestimin/heqjen e lirisë së Ballukut

1 minute, 4 seconds Read

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka paraqitur Kuvendit të Shqipërisë kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes, ministres dhe zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025. Kërkesa, sipas njoftimit zyrtar të publikuar, mbështetet në dispozita të Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe Rregullores së Kuvendit.

Sipas SPAK, Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurës dhe akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Në të njëjtin njoftim theksohet se Balluku ka marrë gjithashtu cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së së njëjtës vepër penale edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi.

Nga ky moment, procedura kalon në filtrat parlamentarë: shqyrtimi institucional dhe votimi për autorizim, sipas rregullave të imunitetit. Vendimmarrja në Kuvend pritet të jetë edhe test politik, por mbi të gjitha institucional, për mënyrën si trajtohen kërkesat e drejtësisë kur përfshihen funksionarë të lartë.

Publikime te ngjashme