Përzgjedhësi i Anglisë në futboll, gjermani Thomas Tuchel, e ka përgëzuar Kombëtaren e Shqipërisë për të dyja paraqitjet në ndeshjet kualifikuese.
Ai, pas ndeshjes së fundit, dha një mesazh të fuqishëm për cilësinë që posedon Shqipëria dhe shprehu besimin se kuqezinjtë kanë mundësi të avancojnë në Kampionatin Botëror 2026 nëpërmjet fazës së play-off-it që zhvillohet në muajin mars.
Anglia i fitoi të dyja përballjet kundër Shqipërisë, me rezultat të njëjtë 2:0.
“Nuk ishte e lehtë, nuk kemi pritur të jetë lehtë. E dinim se do të ishte e vështirë pasi luajtëm në një stadium të mbushur plot, me tifozë me plot emocione. Ne kemi luajtur lojë të mirë, kemi luajtur lojë të shkëlqyer. Shënuam dhe ajo ishte e rëndësishme. Më pas u bë e lehtë. Jam krenar për suksesin në gjithë fushatën. Të gjithë kanë punuar fort dhe jam shumë i kënaqur me arritjet. Të dyja ndeshjet me Shqipërinë kanë qenë të vështira. Shqipëria dhe Serbia ishin kundërshtarët kryesorë të grupit. Por, lojtarëve u takon merita. Skuadra ka përparuar shumë, por ka mundësi për të bërë edhe më shumë. E përgëzoj Shqipërinë dhe shihemi në Botëror. Mundësia ekziston, bashkë me cilësinë që e ka në ekip”, ka theksuar Tuchel pas ndeshjes./lajmishqip.net
