Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi Tomahawk në Ukrainë, raporton Washington Post duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë.
Këto raketa, nëse lëshohen nga territori ukrainas, kanë kapacitetin të godasin thellë në Rusi, përfshirë qytete si Moska dhe Shën Petersburgu.
Forcat amerikane i përdorën me sukses raketat Tomahawk gjatë sulmit të muajit të kaluar kundër objektivave në Iran.
Përveç raketave Tomahawk, në diskutime është përfshirë edhe sistemi raketor me rreze të gjatë veprimi ATACMS.
Burimi i cituar pohon se vendosmëria e Trump për të rritur presionin ndaj Putinit iu komunikua Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede javën e kaluar.
Gjatë asaj bisede, Trump raportohet ta ketë pyetur Zelenskyn se përse Ukraina nuk po e sulmon Moskën.
“Ne mund ta bëjmë, nëse ju na jepni armët e duhura”, mësohet të jetë përgjigjur Zelensky.
Sipas të njëjtit burim, Presidenti Trump beson se Kievi duhet të ushtrojë më shumë presion ushtarak ndaj Rusisë, duke shënjestruar jo vetëm Moskën, por edhe Shën Petersburgun.
Diskutimet e brendshme në Shtëpinë e Bardhë kanë prekur edhe mundësinë që paketa e re e ndihmës të përfshijë autorizimin për armë të reja sulmuese.
Kjo paketë ka gjasa të përfshijë lejen për përdorimin e plotë të 18 raketave ATACMS që ndodhen tashmë në Ukrainë, me një rreze veprimi deri në 300 kilometra.
Këto raketa nuk mund të arrijnë Moskën, por do të mundësonin goditjen e bazave ushtarake, aeroporteve dhe depove logjistike ruse që aktualisht janë jashtë rrezes së ukrainasve.
Po ashtu, konsiderohet mundësia që paketa të përfshijë edhe një numër shtesë raketash ATACMS.
Duhet theksuar se zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë bërë thirrje prej muajsh për sulme më të thella kundër Rusisë me anë të sistemeve ATACMS, raporton lajmishqip.