Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri pasditen e së shtunës në rrugën “Mark Sopi” në Prishtinë. Policia e Kosovës ka konfirmuar se ngjarja, e cilësuar si tentim vrasje, ka ndodhur rreth orës 16:39.
Sipas informacioneve zyrtare, dy të dyshuar meshkuj kanë shtënë në drejtim të viktimës, gjithashtu mashkull, duke e lënë të plagosur para se të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Viktima është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa gjendja e tij shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.
Njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe një fishek. Autoritetet kanë nisur një hetim intensiv dhe janë vënë në kërkim të dy të dyshuarve, të cilët vazhdojnë të jenë në arrati./lajmishqip.net