Shukri Buja dënohet me një vit burgim në rastin “Veteranët”, por nuk tërhiqet nga gara për të parin e Lipjanit

2 minutes, 31 seconds Read

Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën e ka shpallur fajtor Shukri Bujën në rigjykimin për rastin “Veteranët”, duke i shqiptuar një dënim prej një viti burgim.

Pas këtij vendimi, Buja ka reaguar duke e cilësuar atë si politik dhe si një tentativë për të penguar rrugëtimin e tij politik, transmeton Telegrafi.

“Të nderuar qytetarë, anëtarë e simpatizantë të PDK-së, përpjekja për të më ndalur në rrugëtimin tim politik përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është e destinuar të dështojë. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalojë angazhimin tim për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani”, ka deklaruar ai.

Më tej, ai ka shkruar: “Unë kam respektuar dhe vazhdoj t’i respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim me bashkëluftëtarët, kam kontribuar në ndërtimin e institucioneve dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë”.

Buja ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e tij politik dhe kandidimin për kryetar të Komunës së Lipjanit.

“Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e politikisht të motivuara, unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet në rrugë ligjore. Dua t’ju informoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e pengon kandidimin tim. Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i plotfuqishëm, prandaj unë do ta vazhdoj betejën ligjore deri në fund”, theksoi ai.

Ai ka pohuar: “Jam përballur me drejtësinë serbe, atë ndërkombëtare dhe me sfida të shumta brenda institucioneve tona shtetërore për më shumë se dy dekada, dhe nga të gjitha kam dalë i pastër dhe fitimtar”.

“Ndërsa kjo e fundit? Një betejë e vogël, qesharake dhe e motivuar politikisht, dhe si e tillë do të përfundojë aty ku e kanë vendin vendimet e padrejta: në shportën e mbeturinave të historisë”.

Vlen të theksohet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhe dënuar me nga një vit burgim edhe ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ndërsa ka liruar plotësisht nga akuzat dy persona të tjerë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të vitit 2018, të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me rregulloret e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, duke u dhënë në mënyrë të paligjshme këtë status personave që nuk i përmbushnin kriteret ligjore.

Prokuroria ka konstatuar se këto veprime janë kryer me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për persona të tjerë, përmes shkeljes së detyrës zyrtare dhe keqpërdorimit të pozitës, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme