Fundi i tetorit shënoi përmbylljen e periudhës njëmujore gjatë së cilës në pikat kufitare Shqipëri–Kosovë u aplikua kontrolli i dokumenteve të identifikimit për të gjithë qytetarët që kalonin kufirin. Që nga 1 nëntori, në të gjitha pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve është rikthyer procedura e kalimit të lehtësuar pa kontrolle, për qytetarët që udhëtojnë me automjete me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas marrëveshjes së përbashkët ndërqeveritare, kjo procedurë e lehtësuar do të qëndrojë në fuqi deri më 28 shkurt 2026, duke i mundësuar qytetarëve një lëvizje të lirë e të shpejtë ndërmjet dy shteteve.
Marrëveshja përcakton një periudhë 9-mujore gjatë vitit për zbatimin e kalimit të thjeshtëzuar, e ndarë në dy faza:
- 
Sezoni veror, nga 1 maji deri më 30 shtator;
 - 
Sezoni dimëror, nga 1 nëntori deri më 28 shkurt.
 
Këto periudha përkojnë me fluksin më të madh të lëvizjeve në pikat kufitare, veçanërisht gjatë sezonit turistik dhe festave të fundvitit, raporton rtsh.al.
Marrëveshja, e cila nisi zbatimin verën e kaluar, parashikon jo vetëm lehtësimin e kalimit kufitar, por edhe patrullime të përbashkëta të policisë rrugore përgjatë akseve që lidhin qytetet bregdetare dhe ato kufitare. Fillimisht, ajo u zbatua vetëm në pikën kufitare Morinë–Vërmicë, por pas kërkesave të shumta nga qytetarët dhe rritjes së fluksit të udhëtimeve, u zgjerua në të gjitha pikat kufitare: Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec, Borje dhe Orgjost.
Për më tepër, përgjatë brezit kufitar u hapën 22 vendkalime të reja të lehtësuara për banorët e zonave brenda një brezi 30 kilometra në të dy anët e kufirit. Ky bashkëpunim ndërshtetëror ka përfshirë gjithashtu investime të rëndësishme infrastrukturore, si ndërtimi i rrugëve Kërstec, Pakisht, Zapod dhe Gorozhup–Pogaj, si dhe projekte të tjera që kanë përmirësuar ndjeshëm qarkullimin.
Sipas të dhënave të policisë kufitare, mbi 5.5 milion qytetarë janë regjistruar gjatë këtij viti në hyrje dhe dalje nga Shqipëria në pikat e përbashkëta kufitare, ku pika Morinë–Vërmicë mban pjesën më të madhe të këtij fluksi./lajmishqip.net
