Ekzekutivi i Kosovës ka dhënë dritën e gjelbër për pakon e 19-të të masave ndëshkuese ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, si përgjigje ndaj agresionit të vazhdueshëm në Ukrainë.
Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se ky veprim pason 18 pakot e mëparshme të miratuara nga Republika e Kosovës, ku e fundit prej tyre ishte implementuar në shtator të vitit 2025.
Ai potencoi se këto sanksione të reja janë të harmonizuara plotësisht me masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, nënvizoi se Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e paqes dhe demokracisë, duke shtuar se ky vendim forcon partneritetin strategjik me bllokun evropian dhe Uashingtonin.
“Kjo pako shënjestron sektorët e energjisë, financave dhe kompleksin ushtarako-industrial, duke goditur tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit me mallra lufte, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale. Gjithashtu, masat kufizojnë lëvizjen e diplomatëve rusë dhe adresojnë përgjegjësinë për deportimin e fëmijëve ukrainas, duke përfshirë sanksione specifike edhe ndaj Bjellorusisë”, deklaroi Konjufca./lajmishqip.net
