Këngëtarja dhe arkitektja e mirënjohur, Eliza Hoxha, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, duke përmbyllur kështu rrugëtimin e saj si deputete që nisi në vitin 2019.
Artistja, e cila përfaqësoi Partinë Demokratike të Kosovës gjatë tri mandateve radhazi, garoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit nën numrin 21. Pavarësisht një fushate dinamike dhe angazhimit maksimal në terren, këtë herë ajo nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për rizgjedhje.
Përmes një komunikate në rrjetet sociale, Hoxha shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen qytetare ndër vite, duke nënvizuar se misioni i saj politik është udhëhequr gjithmonë nga synimi për reforma legjislative, forcimin e demokracisë dhe adresimin e kërkesave të votuesve.
Gjatë bilancit të punës së saj, ajo veçoi kontributin në Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Hoxha mbetet e vetmja deputete në historinë e parlamentit e nderuar me çmimin “Joanat e Kosovës” për Përfshirje Sociale dhe Drejtësi (2023), mirënjohje kjo për mbrojtjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, veçanërisht në fushat e arsimit dhe integrimit.
“Ndonëse kam marrë mbështetjen e mbi 13 mijë votuesve, këtë herë nuk do të jem pjesë e Kuvendit. Megjithatë, do të vazhdoj të kontribuoj për vendin në kapacitete të tjera, ashtu siç kam bërë gjithmonë”, deklaroi interpretuesja e hitit “Rruga e Zemrës”.
Në përfundim, Eliza Hoxha uroi kolegët e PDK-së për rezultatin zgjedhor, duke rikonfirmuar se përkushtimi i saj për një Kosovë më të mirë do të vijojë aktivisht edhe jashtë institucionit të legjislativit. /lajmishqip.net

