Chelsea është kurorëzuar kampione e botës për klube për vitin 2025, por fitorja 3-0 ndaj Paris Saint-Germain në finalen e New Jerseyt i ka sjellë klubit londinez jo vetëm lavdi sportive, por edhe një përfitim financiar rekord. Triumfi në këtë turne pritet t’i sjellë Chelseat në arkat e tij një shumë totale që vlerësohet të arrijë deri në 112.5 milionë euro.
Finalja e zhvilluar në “MetLife Stadium” u dominua nga “Blutë e Londrës”, të cilët e vulosën fatin e ndeshjes që në pjesën e parë. Ylli i padiskutueshëm ishte Cole Palmer me dy gola (22’, 30’), ndërsa Joao Pedro shënoi golin e tretë (43’). Ky është trofeu i dytë i rëndësishëm për Chelsean në vitin 2025, pas fitores së Ligës së Konferencës në muajin maj.
Shuma marramendëse përbëhet nga disa komponentë: një tarifë bazë pjesëmarrjeje që varion (në varësi të koeficientit), shpërblime progresive për kalimin e çdo faze, si dhe çmimi prej 36.4 milionë eurosh i rezervuar për fituesin e finales.
Ky injektim masiv financiar vlerësohet si tejet i rëndësishëm për Chelsean, pasi do të ndihmojë në balancimin e shpenzimeve të mëdha të bëra në afatet kalimtare dhe për të respektuar rregullat e Fair Play-it Financiar, raporton lajmishqip.