Nis projekti madhor strategjik: Kosova hap ankandin e parë të erës, pritet bum investimesh dhe pavarësi nga importi

1 minute, 56 seconds Read
Banner Description

Ministria e Ekonomisë ka hapur zyrtarisht thirrjen për propozime për ankandin e parë të energjisë me erë, me një kapacitet të synuar deri në 100 MW. Gjatë lansimit të kësaj nisme strategjike, u nëvizua potenciali i lartë i Kosovës, ku rreth 17 për qind e territorit vlerësohet të ketë erëra të qëndrueshme, duke e bërë energjinë e ripërtëritshme zgjedhjen më inteligjente ekonomike për vendin.

Në ceremoninë zyrtare, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se ky ankand, i cili vjen me një skemë mbështetëse 15-vjeçare, do të përkthehet në rritje të prodhimit vendor dhe ulje drastike të varësisë nga importi.

“Me publikimin e kërkesës për propozime, ne çojmë përpara një proces konkurrues jetik. Rëndësia e këtij projekti qëndron në faktin se era na ndihmon pikërisht aty ku kemi më shumë nevojë: në mbrëmje dhe gjatë muajve të dimrit. Kosova ka potencial real; në 17% të territorit shpejtësia e erës arrin mbi 6 m/s, ndërsa në zonat malore deri në 8 m/s, duke tejkaluar mesataren e vendeve evropiane”, theksoi Rizvanolli.

Nga ana tjetër, i ngarkuari me punë në Ambasadën Gjermane, Christian Böttcher, e cilësoi këtë hap si një katalizator për investimet vendore dhe një dëshmi se energjia e gjelbër është tashmë opsioni më i leverdishëm ekonomik.

“Pas suksesit të ankandit diellor, pres me padurim që edhe turbinat e erës të kalojnë nga faza e planifikimit në ndërtim. Edhe pa llogaritur kostot mjedisore, burimet e ripërtëritshme konkurrojnë fort me prodhimin konvencional. Sapo të merren parasysh këto kosto në rrugën drejt BE-së, argumenti bëhet i pashmangshëm. Investitorët kërkojnë qartësi afatgjatë dhe stabilitet politikash”, u shpreh Böttcher.

Diplomati gjerman përcolli gjithashtu një mesazh të qartë politik në prag të zgjedhjeve: “Gjermania pret që përkushtimi i Kosovës ndaj tranzicionit të gjelbër të mbetet i palëkundur, pavarësisht cikleve politike apo se cila parti do të udhëheqë qeverinë e ardhshme”.

Përfaqësuesi i IFC-së, Visar Perani, e vlerësoi këtë nismë si një ndër projektet më madhore infrastrukturore për Kosovën dhe rajonin. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme