Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, ka konfirmuar një kthesë tejet pozitive në marrëdhëniet me Brukselin: Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë shumicën e masave kufizuese ndaj Kosovës, të cilat bllokonin projektet e programeve IPA.
Përmes një komunikimi zyrtar, Bislimi bëri të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar shkresën nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman. Kjo letër konfirmon vendimin e Komisionit Evropian për zhbllokimin e fondeve në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.
Duke e mirëpritur këtë vendim, për të cilin institucionet e Kosovës kanë këmbëngulur vazhdimisht, ai theksoi domosdoshmërinë që ky proces të vazhdojë me shpejtësi drejt heqjes totale të çdo sanksioni të mbetur.
“Nuk ekziston më asnjë arsye që ndonjë pjesë e masave të mbetet në fuqi, veçanërisht pas transferimit të ligjshëm dhe të qetë të pushtetit në katër komunat veriore”, është shprehur ai.
Sipas Bislimit, ky vendim shënon një hap kyç drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosovë-BE dhe avancimit të agjendës së integrimit evropian. Kujtojmë se masat ishin vendosur nga Bashkimi Evropian në qershor të vitit 2023, si reagim ndaj situatës së tensionuar në veri të vendit. /lajmishqip.net
