Një operacion i gjerë dhe kompleks po zhvillohet që nga pasditja e sotme nën drejtimin e Prokurorisë Speciale, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Fokusi kryesor i kësaj ndërhyrjeje është goditja e rasteve të dyshuara për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe çrrënjosja e vatrave të korrupsionit.
Burime brenda organeve të rendit kanë konfirmuar se tashmë janë kryer arrestimet e para të disa zyrtarëve. Operacioni, i cili ka nisur rreth orës 16:00 dhe po shtrihet në lokacione të ndryshme, është ende aktiv, ndaj pritet që numri i të prangosurve të rritet në orët në vijim.
Ky zhvillim shënon një bashkëpunim të rrallë dhe strategjik mes inteligjencës (AKI) dhe njësisë së krimeve ekonomike të Policisë, të gjithë nën mbikëqyrjen e rreptë të Prokurorisë Speciale.
Deri më tani, institucionet nuk kanë publikuar emrat e personave të ndaluar apo dikasteret specifike ku po kryhen bastisjet, por burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për një ndër aksionet më të rëndësishme të muajve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional. /lajmishqip.net
