Policia e Moldavisë njoftoi të premten se ka zhvilluar një operacion të gjerë me rreth 50 bastisje në lokacione të ndryshme të vendit. Gjatë këtij aksioni, u siguruan prova konkrete se një grup i organizuar kriminal, i cili më parë ishte stërvitur në një kamp në Serbi, po planifikonte nxitjen e trazirave të dhunshme në Moldavi.
Sipas komunikatës zyrtare, ky grup dyshohet se vepronte me qëllim të përfitimeve financiare përmes aktiviteteve të paligjshme në shkallë të gjerë. Hetimet zbuluan se anëtarët ishin trajnuar në Banja Kovilaça, në Serbinë perëndimore, me objektivin e qartë për të krijuar tensione sociale dhe për të cenuar rendin e sigurinë publike përmes protestave të dhunshme.
Këto zhvillime pasojnë ngjarjet e 26 shtatorit, kur policia serbe arrestoi dy persona të akuzuar për organizimin e trajnimeve taktiko-luftarake për rreth 150-170 shtetas moldavë dhe rumunë. Trajnimet, të zhvilluara midis korrikut dhe shtatorit pranë Loznicës, dyshohet se kishin për qëllim destabilizimin e Moldavisë.
Autoritetet në Kishinjev kanë akuzuar shërbimin sekret rus si organizator të këtyre kampeve për të ndikuar në zgjedhjet e fundit, akuza që Moska i ka mohuar kategorikisht. Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq pranoi në tetor ndalimin e disa shtetasve serbë, por nuk konfirmoi përfshirjen e inteligjencës ruse.
Gjatë bastisjeve të fundit, policia moldave sekuestroi materiale komprometuese, përfshirë karta bankare ruse, mbi 20 pasaporta me vula hyrjeje në Serbi, pajisje komunikimi, dylbi, si dhe municione për armë vdekjeprurëse. Deri më tani, institucionet serbe nuk i janë përgjigjur kërkesës së REL për komente shtesë mbi rastin./lajmishqip.net
