Kosovë

Alarmi i Institutit GAP për rrezikun e falimentimit të komunave, zbardhet fatura mbi 300 milionë euro dhe përplasja e thellë me Qeverinë

Reklamë

Përplasja institucionale mes nivelit qendror dhe pushtetit lokal në Kosovë ka arritur kulmin me protesta para ndërtesës së Qeverisë, ku krerët e disa komunave e akuzuan ekzekutivin për cenim të hapur të kompetencave dhe bllokim financiar.

Kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pretendojnë se po përballen me vonim e bllokim fondesh për projekte kapitale, krahas një barre të rëndë financiare që buron nga kontratat kolektive.

Reklamë

Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP në Prishtinë, theksoi gjatë podkastit “5 pyetje” të Radios Evropa e Lirë se komunat e vendit po ballafaqohen me vështirësi reale, të cilat rrezikojnë t’i çojnë ato drejt një falimentimi funksional.

Ai sqaron se pjesa dërrmuese e këtyre pengesave financiare nuk kanë nisur gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, por janë trashëguar ndër vite nga ekzekutivët e kaluar të vendit.

“Nëntëdhjetë e pesë për qind e problemeve me të cilat përballen komunat aktualisht janë probleme që janë shkaktuar nga qeveritë, jodomosdoshmërisht nga kjo qeveri”, deklaron Salihu.

Megjithatë, sipas ekspertit, Qeveria Kurti mban përgjegjësi të padiskutueshme për faktin se ka dështuar t’u japë zgjidhje këtyre problemeve kronike.

Reklamë

“Qeveria Kurti bëhet përgjegjëse për shkak të një lloj mosinteresimi, neglizhimi, injorimi të nevojave dhe shqetësimeve që i kanë komunat”, thekson ai.

Një nga goditjet më të rënda që po rëndon mbi arkën e komunave, sipas Salihut, mbeten pikërisht obligimet që rrjedhin nga kontratat kolektive në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.

Këto kontrata përfaqësojnë marrëveshje mes punëdhënësit dhe sindikatave të punëtorëve për garantimin e kushteve specifike, ku përfshihen kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit, shujtat ditore, trajnimet profesionale, pagat jubilare dhe përfitime të tjera.

Salihu vë në dukje se, ndonëse këto marrëveshje u nënshkruan nga niveli qendror, kostoja financiare u la tërësisht mbi shpatullat e komunave, të cilat administrojnë arsimin parauniversitar dhe shërbimin parësor shëndetësor.

“Mbi 300 milionë euro kanë paguar obligime, jo vetëm nga kontratat kolektive. Edhe nga vendimet dhe ligjet e tjera që i ka nxjerrë niveli qendror”, zbardh analisti i GAP-it.

Edhe pse komunat e drejtuara nga Lëvizja Vetëvendosje nuk iu bashkuan protestës së fundit para qeverisë, Salihu nënvizon se kriza funksionale dhe financiare prek njësoj çdo komunë pa dallim partiak.

“Nuk është që me këto probleme po përballen vetëm komunat që udhëhiqen nga LDK-ja, ose vetëm komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, por po përballen të gjitha”, thekson ai.

Kjo përplasje financiare kërcënon drejtpërdrejt interesat e qytetarëve, pasi mjetet e tërhequra për shlyerjen e detyrimeve gjyqësore po privojnë projektet zhvillimore lokale.

Salihu sjell shembullin e buxhetit vjetor komunal, ku mungesa e parashikimit të këtyre obligimeve detyron zhvendosjen e parave nga kategori të tjera thelbësore.

“Të gjitha paratë që janë marrë nga gjykata, përmbaruesi, për të shlyer obligime financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive, janë marrë nga projektet komunale”, thekson ai.

Madje, sipas tij, ekzistojnë raste kur vetë Thesari i Shtetit ka ndërhyrë për të marrë këto shuma direkt nga investimet kapitale që ndodheshin tashmë në proces e sipër.

Ai paralajmëron se, përderisa komunat mund të vazhdojnë të ofrojnë shërbimet bazike, realizimi i projekteve madhore infrastrukturore do të bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Në fund, Salihu thekson se kapërcimi i këtij ngërçi mes komunave dhe ekzekutivit kërkon para së gjithash vullnet të mirëfilltë politik dhe rivendosje të dialogut.

“Ka mosbesim, ka mungesë, ka moskomunikim”, përfundon Salihu, duke shtuar se në disa raste Qeveria ka synuar të provokojë komunat përmes ndryshimeve ligjore që prekin të hyrat vetjake dhe pronën komunale./lajmishqip.net