Një mesazh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pritet të shfaqet të hënën në një prej hapësirave më të njohura të New Yorkut – Times Square.
Veprimtari i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Shpend Gjocaj, ka bërë të ditur se më 7 shtator, në ekranet e Times Square, do të transmetohet grafika me mesazhin “Freedom for the Liberators”, që në shqip do të thotë “Liri për Çlirimtarët”.
Sipas konfirmimit të publikuar prej tij nga “Welcome to Times Square”, mesazhi do të shfaqet gjatë ditës, në transmetime prej 15 deri në 30 sekondash, çdo orë.
Shfaqja e mesazhit në zemër të New Yorkut vjen në një periudhë kur në Kosovë, SHBA dhe vende të tjera po organizohen aktivitete në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pak ditë para shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në Kosovë, aktiviteti qendror do të jetë “Marshi për Liri”, i paralajmëruar për 12 shtator, në orën 14:00, me nisje nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.
Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka nisur ndërkohë nismën mbarëkombëtare “Kosova po pret”, në kuadër të së cilës janë paralajmëruar një sërë aktivitetesh publike, përkujtimore dhe ndërgjegjësuese.
Në këtë kuadër janë paraparë edhe “Netët e Lirisë”, me tubime dhe ndezje simbolike të zjarreve në shtatë zonat operative të dikurshme të UÇK-së. Pjesë e agjendës është edhe vendosja e flamujve kombëtarë dhe emblemave të UÇK-së në lokacione të ndryshme.
Aktivitetet kanë nisur tashmë. Më 5 shtator, në Llap u ndez “Zjarri i Lirisë”, në një organizim ku morën pjesë edhe ish-komandantë dhe veteranë.
Ndërkaq, sonte, më 6 shtator, në orën 19:00, është paralajmëruar një tjetër tubim, kësaj radhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Mbështetja pritet të shtrihet edhe në Hagë. Sipas planit të bërë publik, mbështetësit do të mblidhen në mbrëmjen e 15 shtatorit, një natë para shpalljes së aktgjykimit.
Grumbullimi në Hagë është paralajmëruar të nisë në orën 22:00 dhe të vazhdojë gjatë gjithë natës, deri para fillimit të seancës së 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara kanë planifikuar shpalljen e aktgjykimit.
Kështu, ditët në prag të vendimit në Hagë po shoqërohen me një varg aktivitetesh, nga Prishtina dhe zonat e dikurshme të luftës në Kosovë, deri te një prej shesheve më ikonike të botës – Times Square në New York. /lajmishqip.net
