Kosovë

Ultimatum nga qendra e Prishtinës: Protestuesit paralajmërojnë partitë politike teksa tensionet rriten

Reklamë

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë mbledhur sonte në qendër të Prishtinës, me kërkesën urgjente për miratimin në lexim të dytë të ligjit për Specialen.

Përgjatë tubimit, tensionet janë reflektuar përmes hedhjes së fishekzjarrëve në drejtim të godinës së Qeverisë.

Reklamë

Duke iu drejtuar turmës, aktivisti Çlirim Haziri ka kërkuar shmangien e çdo skenari përplasjeje me Policinë e Kosovës dhe ka apeluar për përmbajtje ndaj forcave të rendit.

“Këtu jemi për të protestuar, e jo për t’u përplasur me organet e sigurisë. Mos e sulmoni policinë”, ka theksuar Haziri.

Ai i ka ftuar protestuesit të ruajnë qetësinë, duke ua drejtuar në të njëjtën kohë një kërkesë të prerë partive politike për veprim të menjëhershëm.

“Jemi në orët vendimtare. Apel për të gjitha partitë politike, mos e provokoni sosjen e durimit tonë”, është shprehur ai.

Reklamë

Haziri theksoi se masa është tubuar për të mbrojtur atë që e shohin si vlerë sublime të sakrificës së UÇK-së, duke i hedhur poshtë me forcë të gjitha kalkulimet politike rreth kësaj teme.

“UÇK-ja nuk është mall këmbimi dhe nuk bën pjesë në asnjë pazar politik. Ajo nuk i takon asnjë subjekti të vetëm partiak. Mos lejoni që atyre t’u vihet çmimi i ndonjë marrëveshjeje”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka lëshuar një paralajmërim se afatet po ngushtohen, duke i ftuar partitë që të marrin një vendim definitiv para mesnatës.

“Koha është drejt fundit, mirëpo Kosova mbetet e përjetshme”, ka shtuar ai.

“Mos lejoni që UÇK-së t’i vendoset një çmim. Akrepat po ecin, ne jemi në rrugë dhe afati po skadon. Po e presim mesnatën ballë për ballë me atë institucion, andaj ose do të ndërmerrni hapa ose do të mbaheni mend si gjenerata që tregtoi me lavdinë kombëtare. Koha po skadon, por Kosova nuk mbaron asnjëherë. Deri në vdekje jemi UÇK”, ka theksuar ai./lajmishqip.net