Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorolli, ka reaguar ashpër pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, për të cilën dyshohet se përgjegjës është kunati i viktimës.
Përmes një reagimi në Facebook, Qorolli ka drejtuar akuza ndaj prokurores së Pejës, Suada Hamza, duke pretenduar se ajo nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e Arlindës, pavarësisht kërkesave të saj për ndihmë institucionale.
Duke iu referuar letrës që viktima i kishte drejtuar Prokurorisë, Qorolli ka shprehur tronditjen dhe dhimbjen për rastin, duke kritikuar mënyrën se si janë trajtuar kërkesat e saj për mbrojtje, përpara se të ndodhte vrasja.
“Tani ajo duhet të japë llogari, para ligjit dhe para Zotit, pse e ‘lejoi ligjërisht’ vrasjen e saj! Tani, ndërsa po e lexoj amanetin e Arlindës, po qaj. Po qaj për Arlindën, për frikën që mund ta ketë ndier, për ditët kur ka pritur ndihmë, për shpresën që e ka mbajtur gjallë, ndërsa kërkonte mbrojtje. Po qaj për faktin se një njeri mund ta shtrijë dorën drejt Prokurorisë dhe prapëseprapë të mos arrijë ta shpëtojë jetën e vet. Nuk mund ta kthejmë kohën pas. Nuk mund t’ia kthejmë jetën Arlindës”, ka shkruar Qorolli.
“Por nuk guxojmë ta lejojmë që zëri i saj të shuhet bashkë me të. Sa herë duhet të kërkojë një grua ndihmë, që të ketë të drejtën të jetojë e sigurt? Arlinda, më dhemb që nuk je më. Më dhemb që kjo letër ka mbetur dëshmi e asaj që kërkove dhe që duhej ta kishe pasur: mbrojtjen. Le të mos jetë dhimbja jote e kotë. Le të bëhet kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi. Sepse asnjë grua nuk duhet të vdesë pasi ka kërkuar të jetojë”, ka shkruar ndër të tjera deputeti Vigan Qorolli./lajmishqip.net
