Kosovë

Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt: Të shqyrtohet edhe përgjegjësia institucionale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila ndodhi mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi viktima ishte kthyer nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.

Haxhiu ka kërkuar hetim të plotë të rrethanave të vrasjes, duke theksuar se duhet të shqyrtohet edhe mënyra se si institucionet përgjegjëse i kanë trajtuar denoncimet e viktimës dhe masat që janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj.

Sipas saj, tri ditë përpara vrasjes, Arlinda Zekaj i ishte drejtuar me një letër Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte paralajmëruar rrezikun ndaj jetës së saj.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar viktima në letrën drejtuar Prokurorisë.

Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se duhet të verifikohet çdo veprim apo mosveprim i mundshëm i institucioneve dhe, nëse konstatohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse.

“Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”, ka deklaruar Haxhiu.

Reagimi i plotë i Albulena Haxhiut:

E tronditur thellësisht nga vrasja e Arlinda Zekajt mbrëmë në Vitomiricë të Pejës. Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.

Tri ditë më parë, ajo i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.

Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse.

Në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkoj që komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me theks të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkërendimi ndërinstitucional. Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ligjet që miratojmë të zbatohen dhe që mangësitë të trajtohen para se të kushtojnë jetë të tjera.

Djalit të Arlindës dhe të gjithë të afërmve të saj u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta./lajmishqip.net