Lajme

Trupi i Ratko Mlladiqit kthehet në Serbi mes ceremonisë ushtarake dhe reagimeve të forta nga Evropa

Reklamë

Trupi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ka mbërritur të enjten në Serbi, ku gjatë pritjes janë angazhuar edhe pjesëtarë të ushtrisë serbe.

Në Aeroportin e Beogradit, arkivoli me trupin e Mlladiqit është pritur nga pjesëtarë të ushtrisë, ndërsa me familjarët e tij në avion ndodhej edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq.

Reklamë

Ushtarët serbë kanë bartur arkivolin nga avioni drejt automjetit që më pas, nën përcjellje, e ka transportuar trupin drejt Akademisë Mjekësore Ushtarake në Beograd.

Përgjatë rrugës janë mbledhur edhe grupe qytetarësh dhe mbështetësish, të cilët kanë pritur kalimin e autokolonës me flamuj, transparente dhe pishtarë.

Pritja e organizuar për Mlladiqin ka shkaktuar reagime, duke pasur parasysh se ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Mlladiq ishte shpallur fajtor, ndër të tjera, për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

Reklamë

Më 22 nëntor 2017, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e dënoi atë me burgim të përjetshëm, ndërsa vendimi u konfirmua në apel më 8 qershor 2021.

Mënyra e kthimit të trupit të Mlladiqit në Serbi dhe paralajmërimet për ceremonitë përkujtimore kanë nxitur reagime të fuqishme edhe nga zyrtarë evropianë.

Përfaqësues të institucioneve evropiane kanë paralajmëruar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte dhe gjenocid është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane dhe mund të ndikojë në rrugën integruese të Serbisë.

Megjithëse fillimisht ishte paralajmëruar mundësia e nderimeve të plota shtetërore, autoritetet serbe nuk e kanë konfirmuar një ceremoni të tillë pas reagimeve nga zyrtarët evropianë. Ndërkohë, është paralajmëruar një ceremoni përkujtimore ushtarake dhe varrimi i tij në Beograd.

Mlladiq, i cili udhëhoqi Ushtrinë e Republikës Srpska gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, vazhdon të glorifikohet nga një pjesë e shoqërisë në Serbi dhe Republikën Srpska, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare për krimet për të cilat është shpallur fajtor./lajmishqip.net

Reklamë