Bota

Tensionet rriten pas incidenteve në Leipzig, BE dhe NATO paralajmërojnë shtim të presionit ndaj Rusisë

Reklamë

Bashkimi Evropian dhe NATO kanë paralajmëruar shtimin e presionit ndaj Rusisë, pas incidenteve që autoritetet gjermane i kanë cilësuar si një “përshkallëzim të ri” në territorin evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se incidentet në aeroportin e Leipzigut përbëjnë një zhvillim serioz, të cilin ajo e ka lidhur drejtpërdrejt me Rusinë, raporton BBC.

Reklamë

“Leipzigu shënon një përshkallëzim të ri në territorin e Bashkimit Evropian, që i atribuohet drejtpërdrejt Rusisë”, ka deklaruar von der Leyen.

Një ditë më parë, Qeveria gjermane njoftoi se hetimet policore dhe informacionet e siguruara nga shërbimet e inteligjencës kishin çuar në përfundimin se Rusia qëndronte prapa një tentative për sulm me dron në aeroportin Leipzig/Halle.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka shprehur mbështetjen e Aleancës për Gjermaninë.

“NATO qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë”, ka deklaruar Rutte, duke paralajmëruar se Aleanca duhet t’i përgjigjet asaj që po konsiderohet si një “normalitet i ri” në sjelljen e Rusisë.

Reklamë

Sipas autoriteteve gjermane, më 4 gusht, një dron i pajisur me eksploziv dyshohet se kishte në shënjestër një avion ukrainas për transportin e mallrave në aeroportin Leipzig/Halle.

Droni ishte çaktivizuar nga një robot i posaçëm, ndërsa një dron i dytë dyshohet se ishte përplasur me një tjetër avion transportues.

Rreth dhjetë ditë më vonë, në hapësirat e aeroportit ishte gjetur edhe një dron i tretë.

Aeroporti Leipzig/Halle ka rëndësi strategjike për NATO-n dhe përdoret rregullisht nga avionët ukrainas të transportit të kompanisë Antonov.

Megjithatë, autoritetet gjermane nuk i publikuan menjëherë përfundimet e hetimeve. Vetëm të martën, Qeveria deklaroi se provat e mbledhura nga policia dhe shërbimet e inteligjencës tregonin, sipas vlerësimit të tyre, se Rusia ishte përgjegjëse për incidentet.

Rusia i ka mohuar akuzat se ka synuar avionin ukrainas përmes një droni të mbushur me eksploziv.

Në përgjigje ndaj sanksioneve të reja të vendosura nga Gjermania, Moska ka njoftuar gjithashtu se do t’i mbyllë qendrat kulturore të Institutit Goethe në Rusi./lajmishqip.net

Reklamë