Lista Studentore “Studentët po fitojnë” ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, më 25 tetor, në Serbi. Në selinë zgjedhore të studentëve kanë nisur festimet, ndërsa përfaqësuesit e listës kanë përcjellë mesazhin se rezultati zgjedhor shënon fillimin e një kapitulli të ri për vendin.
Përfaqësuesit e Listës Studentore u kanë bërë thirrje qytetarëve që fitoren ta festojnë në mënyrë paqësore dhe me dinjitet, duke shmangur provokimet, konfliktet dhe çdo formë të dhunës.
“I ftojmë qytetarët ta festojnë këtë fitore në mënyrë paqësore, me dinjitet dhe krenari. Mos u jepni hapësirë provokimeve, mos u përfshini në konflikte dhe mos lejoni që përpjekjet për të nxitur tensione ta zbehin atë që kemi arritur së bashku. Përgjigjja jonë ndaj çdo provokimi le të jetë dinjiteti, ndaj çdo fyerjeje paqja dhe ndaj çdo përpjekjeje për përçarje solidariteti edhe më i fuqishëm”, ishte mesazhi i përcjellë nga përfaqësuesit e listës.
Ata kanë theksuar se festimet nuk duhet të shndërrohen në përplasje, duke rikujtuar se lëvizja studentore është mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe në kërkesat për drejtësi, solidaritet dhe kundërshtim paqësor.
“Nuk kemi luftuar për muaj të tërë që pikërisht sonte t’i humbim ato që na kanë mbajtur të fortë gjatë gjithë kësaj kohe: besimin në drejtësi, solidaritetin dhe jodhunën”, thuhet në mesazhin e tyre.
Gjatë fjalimit në selinë zgjedhore, përfaqësuesit e studentëve kanë theksuar se rezultati i zgjedhjeve nuk përbën vetëm një fitore politike, por edhe fillimin e një periudhe përgjegjësish për ndryshimet që synojnë të realizojnë në Serbi.
“Po nesër? Nesër fillon puna. Një punë serioze, e përgjegjshme dhe e vështirë për të ndërtuar një Serbi ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku e vërteta nuk ndëshkohet, ku dija respektohet, ku të rinjtë shohin të ardhmen e tyre dhe ku askush nuk duhet të jetojë me frikë vetëm pse mendon ndryshe”, kanë deklaruar përfaqësuesit e Listës Studentore.
“Le të jetë kjo natë fillimi i një kapitulli të ri, ku nuk ndahemi në fitues dhe humbës, por punojmë së bashku për të ndërtuar një vend ku secili ka të drejtë të shprehet, ta njohë të vërtetën dhe të ketë një të ardhme. Sonte festojmë fitoren, ndërsa nga nesër ndërtojmë të ardhmen. Rroftë liria! Studentët kanë fituar!”, ishte mesazhi përmbyllës i studentëve.
Sipas projeksioneve fillestare të organizatave CeSID dhe Ipsos, Lista Studentore ka siguruar rreth 52 për qind të votave dhe pritet të fitojë 138 deri në 139 mandate në Kuvendin e Serbisë, duke tejkaluar pragun prej 126 deputetësh të nevojshëm për shumicën parlamentare. Megjithatë, këto shifra mbeten paraprake, deri në konfirmimin e rezultateve përfundimtare nga autoritetet zgjedhore./lajmishqip.net
