Profesori amerikan Edward Joseph ka deklaruar se Kosova duhet të nisë negociata me Bashkimin Evropian për adresimin e shqetësimeve që lidhen me Gjykatën Speciale, duke e shfrytëzuar këtë proces si mundësi për të avancuar drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Gjatë një bashkëbisedimi me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Joseph ka vlerësuar se ekziston një përputhje interesash ndërmjet Kosovës, Bashkimit Evropian dhe administratës amerikane, e cila mund të shërbejë si bazë për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas tij, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës mundësinë e qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku çështjet që lidhen me proceset e Gjykatës Speciale mund të shqyrtoheshin në përputhje me juridiksionin dhe kushtet e përcaktuara ligjore.
“Ka përputhje me administratën që Kosova mund ta zbatojë dhe gjithashtu me Bashkimin Evropian në një mënyrë shumë të rëndësishme për të arritur një mirëkuptim, një marrëveshje që mund të përfshijë më në fund anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Joseph.
Profesori amerikan ka theksuar se një qasje e tillë nuk nënkupton shmangien e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, por kërkimin e zgjidhjeve përmes dialogut dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Joseph ka vlerësuar se dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale mund të jenë disproporcionale, por ka theksuar se nuk mund të japë një vlerësim përfundimtar pa shqyrtuar në hollësi provat dhe përmbajtjen e aktgjykimit.
Ai ka kërkuar që në diskutimet për funksionimin e Gjykatës Speciale të përfshihen edhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore, shpenzimet e institucionit dhe krahasimi i dënimeve me ato të shqiptuara nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, më 16 shtator 2026, dënuan në shkallë të parë katër ish-drejtuesit e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet./lajmishqip.net
